Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë lidhur me shkarkimin e zv/ministrit të Brendshëm, Andi Mahila pasi u kap duke pirë cigare në ambiente të mbyllura. Rama mbrojti vendimin e ministres Albana Koçiu dhe thumboi opozitën.
Në mbledhjen me deputetët e qarkut të Tiranës dhe ministrat e kabinetit, Rama i quajti këto llomotitje nga ata që u ka rënë Diella në kokë por që sipas tij, kur ta marrin veten, do të përballen me fëmijët e Diellës.
“E përgojuan ministren, me shpotinë karakteristike të delirantit provincial, bënë hajgare me shkarkimin që ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit të saj për tymosjen e cigares në ambientet e mbullura”, tha Rama.
Ai shtoi më tej se të mos e përshëndesësh këtë akt dhe të mos kërkosh që ky akt të jetë norma, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, “por të bësh hajgare me këtë, do të thotë të jesh një bisht cigare i mbetur në takatuken e jetës demokratike”.
Edi Rama:U bë një llomotitje e madhe nga ata që i ka rënë Diella në kokë dhe duhet të presin gjatë sa ta marrin veten, por kur ta marrin veten duhen të përballojnë fëmijët e Diellës.
Të cilët e përgojuan, me shpotinë karakteristike të delirantit provincial shkarkimin që ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit për tymosjen e cigares në ambient të mbyllur.
Të mos e përshëndesësh këtë akt dhe të mos kërkosh që ky akt të jetë norma, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverinë por të bësh hajgare me këtë do të thotë të jesh një bisht cigare i mbetur në takatuken e jetës demokratike që askush nuk ka ndërmend ta ndez më dhe askush nuk i shkon mendja për riciklim.
