Gazetari dhe analisti Erl Murati, i ftuar në Log. në News24, për të folur rreth temës “Rama shkund bashkitë, Tirana drejt zgjedhjeve”, theksoi se se shkarkimi në bllok i drejtorëve nuk i jep zgjidhje problemeve, sidomos i ujit të pijshëm apo të djegieve të plehrave.
Murati pohoi gjithashtu se në Vlorë problemi nuk ka qenë zënia e hapësirave publike, pasi kjo çështje shtrihet nga veriu në jug dhe nuk mund të zgjidhet me aksion, pasi 50 metra larg zyrës së Kryeministrit ka zënie të hapësira publike. Sipas Muratit, shkarkimi në bllok heq përgjegjësinë politike nga vetja dhe nga kryetari i bashkisë.
Erl Murati: “Duhet të shohim se cili ka qenë problemi më i madh. Së pari, po flas për interesin publik, ka qenë ajo e djegies së plehrave dhe, së dyti, furnizimi me ujë të pijshëm. Këtu në vëmendje ishte Vlora, si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale. Nuk besoj se shkarkimi në bllok i drejtorëve do t’i japë zgjidhje këtij problemi. Një tjetër problem i rëndësishëm në Vlorë është ai kadastrës. Në 4-5 vitet e fundit janë ndërruar 14 apo 15 drejtorë. Është një problem i thellë dhe mendoj se nuk ka të bëjë me aftësinë.
Sot Kryetari i Bashkisë Vlorë ka bërë një shpallje publike për vendet vakante për 12 drejtorë. Pra i bie që aty për momentin është vetëm kryetari dhe shoferi i tij. Nuk besoj se në Vlorë problemi ka qenë zënia e hapësirave publike. Kjo çështje shtrihet nga veriu në jug dhe nuk mund të zgjidhet me aksion. Ke 50 metra larg zyrës Kryeministrit që ka zënie të hapësira publike. Shkarkimi në bllok heq përgjegjësinë politike nga vetja dhe nga kryetari i bashkisë. Por kjo nuk është gjë para shkarkimeve apo largimeve të ministrave që ka ndodhur më parë pa dhënë asnjë arsye.
Unë mendoj se nëse ka shkelje ligji të një drejtori, vetë kryebashkiaku duhet t’i denoncojë. Nëse janë të 12 të paaftë, atëherë flitet për një përgjegjësi morale nga vetë kryetari i bashkisë.”
