Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat nga selia blu, e cilësoi situatën me zjarret që përfshinë Shqipërinë gjatë verës si një “krim shtetëror” dhe akuzoi qeverinë për paaftësi, propagandë dhe braktisje të qytetarëve.

“Sot jam para mediave për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarëve tokë – ullishte, kopshte, pyje, bahçe – si dhe dëmet e pallogaritshme që ato shkaktuan,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se nga zjarret janë djegur qindra banesa në zona si Gramsh, Delvinë dhe të tjera, janë shkatërruar mijëra krerë bagëti, koshere bletësh, ndërsa është goditur rëndë flora dhe fauna. Berisha shtoi se kishte viktima dhe të plagosur, ndërkohë që qytetarët u ndjenë më të braktisur se kurrë.

Ai theksoi se, ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të rajonit ishin shumë më të përgatitura për t’u përballur me flakët, edhe pse situata me zjarret nuk ishte unike për vendin tonë.
Berisha kërkoi ndëshkimin maksimal për zjarrvënësit dhe paralajmëroi se situata aktuale është pasojë direkte e dështimit të qeverisë për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën shqiptare.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje.
Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera.
Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona.
Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve.
Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë.
Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë.
Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies dhe ata meritojnë ndëshkimin ligjor më të madh.
Shpreh solidaritetin tim të madh për të gjithë të dëmtuarit, viktimat, të plagosurit dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh, fshatarësh që humbën gjithçka kishin për shkak të zjarreve.
Por dënoj si një krim shtetëror propagandën e neveritshme, mashtruese të narkoqeverisë, e cila bënte fjalë për dhjetëra mijëra forca të angazhuara, në një kohë kur nga fushë beteja, gazetarët informonin se atje numëroheshin me gishtërinjtë e duarve zjarrfikësit apo forcat e tjera në shuarjen e zjarreve.
Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror.
Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.
Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve.
Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb