Koalicioni arab i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet forcat qeveritare në Jemen, njoftoi se u neutralizuan tri mjete ajrore pa pilot (UAV) të mbushura me eksploziv, të lëshuara drejt Arabisë Saudite nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani.

Në një deklaratë me shkrim nga forcat e koalicionit thuhet se milicitë Houthi tentuan të sulmojnë rajonin jugor të Arabisë Saudite me tri dronë të ngarkuar me bomba, sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve SPA.

“Ne po marrim të gjitha masat e nevojshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se në 24 orët e fundit, numri i dronëve të shkatërruar nga forcat e koalicionit ka arritur në shtatë.

Nuk kishte asnjë deklaratë nga grupi Houthi në lidhje me këtë zhvillim.

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, ndodhin përplasje mes rebelëve dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Grupi Houthi që nga shtatori 2014 ka kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone, ndërsa që nga marsi 2015, forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër rebelëve.

Lëvizja Houthi shpesh synon rajonet jugore të Arabisë Saudite me raketa balistike dhe dronë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb