Një tjetër goditje e fortë iu dha trafikut të drogës në Itali. Pasditen e së mërkurës, më 5 nëntor 2025, policia italiane zhvilloi një operacion të suksesshëm në zonën Funo di Argelato, duke çmontuar një bazë logjistike të shpërndarjes së narkotikëve. Operacioni, i kryer nga Skuadra Fluturuese, përfundoi me arrestimin e tre shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e mbi 21 kilogramëve hashash si dhe 45,500 eurove në para të gatshme.

Si u zhvillua operacioni
Hetimet kishin identifikuar një apartament në Funo që dyshohej se shërbente si qendër për përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. Policët civilë ngritën një stacion vëzhgimi pranë godinës dhe rreth orës 16:00 vunë re një 20-vjeçar shqiptar që doli nga apartamenti dhe u nis drejt rrugës “Via San Giobbe”. Aty e priste bashkëpunëtori i tij 34-vjeçar, në një Renault Clio. Në momentin e takimit, i riu i dorëzoi disa tufa me para 34-vjeçarit dhe më pas mori nga makina një thes të madh të bardhë, të cilin e vendosi në një Fiat 500 të parkuar aty pranë. Pikërisht në atë moment ndërhynë agjentët, duke ndaluar të dy të dyshuarit. Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth 200 blloqe hashashi me peshë totale 20 kilogramë, ndërsa në Renault Clio u sekuestruan 42,500 euro në para të gatshme, si dhe 1,000 euro të tjera në çantën e shpinës së 34-vjeçarit.

Zbulimi i bazës së trafikut
Bastisja vijoi në apartamentin që shërbente si bazë logjistike e grupit. Brenda, u gjet bashkëpunëtori i tretë, një 44-vjeçar shqiptar me precedentë penalë për trafik droge. Në ambientet e banesës, policia zbuloi dhe sekuestroi 1 kilogram marijuanë, rreth 200 gramë hashash, si dhe materiale për paketim. Të tre personat u arrestuan dhe u dërguan në burgun “Dozza” në Bolonjë, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Pas seancës për vlefshmërinë e arrestit, Gjykata e Hetimeve Paraprake vendosi që dy prej tyre, të lindur në vitet 1981 dhe 1991, të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa 20-vjeçari, i lindur në 2005, u vendos në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.

Operacion tjetër në Aeroportin e Bolonjës
Në vijim të hetimeve, autoritetet italiane sekuestruan edhe 30 blloqe kanabisi të paketuara në vakum në Aeroportin “Marconi” të Bolonjës, të fshehura në sendet personale të një pasagjeri. Pesha totale e lëndës narkotike ishte rreth 3 kilogramë, e cila pas analizave u konfirmua si derivat i kanabisit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: