Drejtoria e Policisë në Atika, nën drejtimin e Prokurorisë së Athinës ka arritur të shkatërrojë një organizatë të trafikut të lëndëve narkotike që vepronte në kryeqytetin grek.
Pjesëtarët e grupit vepronin në zonat e njohura të Athinës të tilla si Ilios, Shën Petersburg, Nea Ionia dhe Trikala, Thesalia. Për përfshirjen në këtë rast, 14 anëtarët e organizatës kriminale u arrestuan më 19 qershor, pas operacioneve të organizuara policore në Athinë, Ilion, Shën Petersburg dhe Nea Ionia, shkruajnë mediat helene.
Ata janë tetë grekë dhe gjashtë shtetas shqiptarë, kurse 3 anëtarë të tjerë të bandës janë shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi u identifikuan. Ndërsa, 3 persona janë arrestuar për trafik droge. Policia greke në një komunikatë tha se nëse droga e sekuestruar do të hidhej në treg, do të fitoheshin nga shitja e saj të paktën 180 mijë euro.
Sipas asaj që shkruajnë mediat në vendin fqinj, dy prej të arrestuarve që kinse punonin si shpërndarës ushqimesh në zonë, bënin punën e korrierëve të lëndës narkotike.
Policia pas kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve si dhe në ambjente të tjera që përdoreshin nga grupimi kriminal, ka gjetur e konfiskuar 1.777 kilogramë kokainë, 4,174 kilogramë kanabis, por edhe euro të gatshme, 58.3 gram kanabis të papërpunuar, një pistoletë dhe dy thika. Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës.
(d.xh/ Balkanweb)
