Shkeljet e armëpushimit në Rripin e Gazës vazhdojnë, pas një vale sulmesh izraelite të dielën mëngjes, që kanë marrë jetën e 11 personave.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) thanë se sulmet goditën militantë që dolën nga një tunel në zonat nën kontrollin e ushtrisë, si një përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hamas.
Në të njëjtën kohë, Gjysmëhëna e Kuqe raportoi se një sulm ajror mbi një kamp të përkohshëm për familjet e shpërngulura në veri të Gazës vrau 6 persona, ndërsa një tjetër në jug të Rripit shkaktoi 5 viktima të tjera. Burime thanë se një nga objektivat e sulmit mund të ketë qenë një komandant i grupit Islam Xhihadist, i afërt me Hamasin.
Të dyja palët, Izraeli dhe Hamas, kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se që nga fillimi i armëpushimit të paktën 600 persona kanë humbur jetën.
Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, e përshkroi sulmin izraelit si një “masakër ndaj palestinezëve të shpërngulur”, duke e cilësuar këtë si një shkelje serioze të armëpushimit, vetëm disa ditë para takimit të parë të Bordit të Paqes së Donald Trump.
Takimi i Bordit të Paqes, i planifikuar për më 19 shkurt në Uashington, synon të krijojë një forcë ndërkombëtare për sigurinë në zonat kufitare të Gazës, të mbikqyrë çarmatosjen e Hamasit dhe të ndihmojë në formimin e një qeverie teknike palestineze.
Së fundmi, Indonezia, pjesë e Bordit, konfirmoi se do të dërgojë 8,000 ushtarë për të ndihmuar në zbatimin e armëpushimit dhe mbikëqyrjen e zonave të prekura.
