Një drejtues Jet Ski është ndëshkuar me gjobë 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi shkeli perimetrin e sigurisë dhe hyri në zonën ku ndodheshin pushuesit në Ksamil.
Gjatë patrullimit në vijën bregdetare të Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të përcaktuar të sigurisë, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e pushuesve.
Në përfundim të procedurave administrative, drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa Jet Ski në pronësi të tij u bllokua në Portin e Sarandës.
Policia e Shtetit u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë.
Kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë me intensitet, me fokus parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.
