Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur 28 persona, mes të cilëve pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët akuzohen për abuzime me tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Dosja pritet të dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tyre, siç raporton gazetarja Klodiana Lala, janë ngritur akuzat për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”.
SPAK nisi hetimet mbi bazën e informacioneve të ardhura nga sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet e nisura më 21 tetor 2022 zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik — përfshirë dy zëvendësrektorët e Universitetit Bujqësor, Ilir Kapaj dhe Romina Kotaj, si edhe administratorin Edmond Tërthorja — në bashkëpunim me biznese, kanë manipuluar procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”.
Sipas SPAK, hetimet zbuluan se këto kompani jo vetëm që favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por gjithashtu paraqitnin oferta fiktive në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave. Prokuroria bën me dije se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike ishte bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar, pa asnjë analizë reale të tregut.
Dokumentet hetimore tregojnë se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, çka dëshmon se fituesit ishin vendosur paraprakisht. Ky manipulim ka përfshirë edhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar.
