Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Korçës, Ivi Kaso, ka ngritur alarmin për parregullsi zgjedhore në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duke akuzuar drejtues lokalë dhe institucione shtetërore për përfshirje të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale në mbështetje të Partisë Socialiste.

Në një intervistë për News24, Kaso deklaroi se strukturat shtetërore janë vënë në funksion të blerjes së votës, duke përmendur me emra konkretë drejtues të institucioneve që sipas tij po ushtrojnë presion ndaj qytetarëve dhe administratës.

“Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Korçës ka në dispozicion drejtorët rajonalë për të mbledhur vota për 11 majin. Punonjës të Kadastrës shkojnë derë më derë dhe premtojnë legalizime për vota, gjë që s’e kanë bërë në 12 vite,” tha Kaso.

Sipas tij, të njëjtat taktika po përdoren nga drejtori i AKU-së dhe drejtoresha e Tatimeve, të cilët, sipas denoncimit, po kërcënojnë biznese dhe individë për të mbështetur kandidaten socialiste Besa Spaho.

Ai paralajmëroi edhe një kallëzim penal që do të dorëzohet në SPAK ndaj kandidates Vinjola Rota, e cila, sipas PD-së, në rolin e drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore, ka përdorur pozitën për të ushtruar presion ndaj mësuesve për vota.

“Të gjithë këta banditë zgjedhorë nuk kanë frikë të shpërdorojnë pushtetin dhe burimet e shtetit. Kemi prova dhe do i depozitojmë në SPAK,” përfundoi Kaso.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb