TIRANË- Djali i ish-kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berisha ka reaguar ndaj akuzave të vazhdueshme të kandidatit të maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Në një status në faqen e tij të Facebook, Shkëlzen Berisha shkruan se “Fiku i vyshkur i Ramës kërkon të largojë me çdo kush vëmendjen nga kundërshtari i tij”, duke e cilësuar këtë si shprehje të kompleksit të tij përballë kandidatit të PD-së, Halim Kosova.
Djali i ish-kryeministrit shkruan se hedhja e baltës mbi Saliun dhe Shkëlzenin nuk është “drejtimi i duhur” dhe se votat fitohen duke mbajtur premtimet dhe duke ndarë pushtetin politik me ata që mbështetën PS-në që atëherë kur Veliaj bashkëpunonte me PD-në.
Në përfundim Shkëlzen Berisha deklaron se do ta çojë Veliajn në gjyq për shpifje.
JA STATUSI I PLOTË
Një kandar për Fikun e Ramës
I vetëdijshëm për humbjen që afron dhe elektoratin që po e braktis Fiku i vyshkur i Ramës kërkon të largojë me çdo kusht, vëmendjen nga kundërshtari i tij, mjeku i njohur dhe kryetari i ardhshëm i Bashkisë Dr. Halim Kosova duke shpresuar se do të tërheqë në garë njerëz që nuk janë fare kandidatë.
Në kushtet kur i vetmi profesion që ka, është literalisht ai i zogut të kryetarit, kompleksi përballë një profesionisti e menaxheri të arrirë si Halim Kosova që ka një jetë në shërbim të komunitetit, është mëse i kuptueshëm.
Por garën e ka me të dhe jo me mua.
Nëse do t’u fitojë zemrat socialistëve që i kanë kthyer krahët dhe e shohin si mish të huaj, hedhja e baltës mbi Saliun dhe Shkëlzenin nuk është “drejtimi i duhur”. Tashmë nuk është më në opozitë, por në pushtet dhe siç e kanë thënë dhe vetë, balta nuk është as punë, as bukë, as shërbim, as rrugë, as zhvillim, as pension (normal, jo ai i mamasë) e madje as drejtësi. Votat fitohen duke mbajtur premtimet. Fitohen duke larguar fiqtë dhe parazitët e Mjaft-it nga postet e pamerituara dhe duke ndarë pushtetin POLITIK, me ata socialistë që kanë mbështetur PS-në, që atëherë kur Fiku i Ramës bashkëpunonte me PD-në për rrëzimin e tyre nga pushteti.
Sot pushteti i Fikut të Ramës nuk mbështet as të aftit e as socialistët e 8 viteve opozitë. Ai është torta ku janë ulur vetëm, hajdutët e LSI, ish-mjaftistët, burrat e grave dhe gratë e burrave të kryetarit dhe të gjithë ata që kanë pasur lekë për të blerë postet drejtuese, që më pas t’i përdorin ato për të vjedhur.
Për sa më lart nuk e shoh të udhës t’u përgjigjem shpifjeve këtu, (as e kam të nevojshme, sepse sa herë që flet aq më shumë njerëz largon), por njëlloj siç vepron kryetari i tij, do i jap mundësinë civile dhe ligjore, që gënjeshtrat dhe baltën e hedhur t’i provojë në gjykatë. Jam i sigurt që paratë e grumbulluara nga shitja e prekja e fiqve, do t’i mjaftojnë për të përballuar shpenzimet e gjyqit dhe vendimet e tij.
(m.k/BalkanWeb)
