Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Moska është duke përdorur raketa balistike të marra nga Koreja e Veriut, për të sulmuar Ukrainën.

Uashingtoni deklaroi gjithashtu se Kremlini është në bisedime me Iranin për sigurimin e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi, por sipas shërbimeve të inteligjencës amerikane, një gjë e tillë nuk është konkretizuar ende dhe raketat nuk kanë mbërritur në Rusi.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se Rusia hodhi një raketë balistike të Koresë së Veriut në Ukrainë më 30 dhjetor.

“Për shkak të sanksioneve tona dhe kontrolleve të eksportit, Rusia është bërë gjithnjë e më e izoluar në skenën botërore dhe ata janë detyruar të kërkojnë pajisje ushtarake nga shtetet me të cilët ndajnë të njejtën filozofi. Siç e kemi paralajmëruar publikisht, një nga ato shtete është Koreja e Veriut. Mbështetja e Phenianit për Moskën është një përshkallëzim i rëndësishëm dhe shqetësues”, u tha Kirby gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Kirby tha se rrezja e raketave të Koresë së Veriut ishte 900 km dhe se në këmbim të armëve, Rusia pritej të furnizonte avionë luftarakë, raketa tokë-ajër, automjete të blinduara, pajisje për prodhimin e raketave balistike dhe teknologji të tjera të avancuara.

“Kjo do të kishte implikime në lidhje me sigurinë për gadishullin Korean dhe rajonin Indo-Paqësor”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: