Bledi Shkëmbi është i bindur te fitorja këtë të premte ndaj Kukësit, ndonëse shpreson që të ketë dhe fatin me vete, fat që u duk se e kishte braktisur skuadrën durrsake në ndeshjet e fundit. Teuta është në luftë për vendin e dytë dhe që ta marrë këtë vend, duhet të mposhtë pikërisht ekipin e Armando Cungut.

“Nuk kemi qenë aty ku duhet javën e fundit. Me Flamurtarin dhe Tiranën nuk ishim mirë në lojë, ndërsa me Kamzën nuk arritëm të shfrytëzonim rastet që krijuam. Nuk patëm edhe fat në ndeshjen e fundit. Po vuajmë finalizimin në javët e fundit, ku nuk kemi mundur të shkojmë te fitorja. Nuk duhet ta përjetojmë keq situatën, sepse të gjithë e dimë se i kemi mundësitë të kthehemi në nivelin e duhur. Shpresoj ta bëjmë që këtë javë, me ndihmën e fatit,” u shpreh timonieri korçar për “Supersort”.

Kukësi është një kockë e fortë, por Shkëmbi beson te Latif, golat e të cilit i kanë munguar ekipit.

“Nuk është se kemi ndryshuar në grup, vetëm Arapi po luan nga ata që erdhën në merkaton e dimrit, është po ajo Teutë. Presim që Latif të kthehet në formën e tij më të mirë. Kukësi? Patjetër që është shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj një ekipi që pretendon titullin. Ne thjesht duhet të bëjmë atë lojë që kemi bërë më parë, kur kemi marrë rezultate pozitive”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: