Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona të tjerë, të përfshirë në shkëmbimin me armë zjarri një ditë më parë, në këtë qytet.

Në pranga kanë rënë dy të rinjtë F. F., 21 vjeç, dhe E. C., 21 vjeç,, si dhe është shpallur në kërkim 21-vjeçari A. C., i akuzuar për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se të arrestuarit janë Feliks Filja, i cili ka qenë në mjet me Elvis Koçi(Çaushllari), dhe Ersi Cekani, që ka larguar nga vendngjarja Elvisin dhe Feliksin, ka siguruar mjetin dhe ka transportuar në Spital në Tiranë Elvisin.

Ndërkohë, i shpallur në kërkim është Armand Ceveli, pronari i mjetit “Ford Focus”, me të cilin udhëtonte Migert Qosja.

Kujtojmë se një ditë më parë u arrestua te Spitali i Traumës, ku po merrte trajtim mjekësor pas plagosjes, Elvis Koçi (Çaushllari), 28 vjeç, një person me rekorde kriminale, që njihej dhe me nofkën “korçari”.

Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtues automjetesh u përdorën dhe armë zjarri, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, vënia në pranga e njërit prej autorëve dhe shpallja në kërkim e një tjetër autori. Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga specialistët për Hetimin e Krimit kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit:
F. F., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu, si rezultat i këtyre hetimeve është shpallur në kërkim policor, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” shtetasi A. C., 21 vjeç, banues në Elbasan. Vijon puna për kapjen e tij dhe për kapjen e autorit tjetër, shtetasi M. Q.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb