Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama të bërë një ditë më parë, ku paralajmëroi krizën e energjetikës, duke thënë se do të ketë efekte tronditëse dhe rritje marramendëse çmimesh.

Në një lidhje me “Skype” për News24, Malaj u shpreh se nuk ndodh në asnjë vend të botës, që kryeministri të mbajë një fjalim, i cili krijon panik në publik.

Sipas ish-ministrit, kriza e energjetikës nuk përafrohet me atë të tërmetit, apo pandemisë, duke shtuar se rritja e çmimeve ka ndodhur edhe më parë, dhe se një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe nga shkencëtarët.

“Kjo krizë nuk përafrohet as me tërmetin, as me pandeminë. Ka vite që shkencëtarët i kanë paralajmëruar qeveritarët që çmimi i naftës mund të shkojë në nivelet 80-100 dollarë për fuçi. Kjo do të thotë se duheshin marrë reformat e duhura. Dua të theksoj se nuk ndodh në asnjë vend të botës, që kryeministri të mbajë një fjalim, i cili krijon panik në publik. Nuk janë tronditur aq shumë kolosët e ekonomisë, se ne i ndjekim lajmet çdo ditë. Luhatjet e çmimeve janë një fenomen që ndodh shpesh. Ne duhet të ndajmë nëse është kjo një goditje afatshkurtër, apo një trend afatgjatë.

Shqipëria ka parashikuar që për një goditje afatshkurtër, kompanitë duhet të kenë rezerva për të amortizuar tregun. Nëse është krizë afatgjatë, kryeministri duhet ta thotë. Ka dy strategji që qeveritë e përgjegjshme bëjnë, së pari thonë: do të sigurojmë ndihmë për shtresat e mesme e të varfra. Pra, kolona e parë është mbështetja sociale. Duhen ndërprerë menjëherë të gjitha shpenzimet e shtrenjta në ekonomi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe kredibilitet maksimal, që ndihmon vendin për të menaxhuar këtë krizë. Nuk është hera e parë që ka rritje çmimesh”, tha Malaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb