Me një pjesëmarrje masive, në sallën e Akademisë së Shkencave u promovua libri “Mes jush jetoj…”, kushtuar poetit të këngës Jorgo Papingji. Kisha kënaqësi të thoja dy-tri fjalë për të dhe librin e pergatitur nga miku im Ilir Çumani. Këtu më poshtë po sjell për ju parathënien time te ky liber, shkruar me mallëngjim dhe dashuri për bardin e kenges, Papingjin tonë…

Shko në dritë se dritë le pas, Jorgo Papingji!

Përherë e kisha parë Ilir Çumanin në dhjetëra, mbase qindra foto, ku ai pozonte tok me artistë të shquar shqiptarë, kryesisht ata të skenës dhe ekranit, por edhe me këngëtarë, kompozitorë, piktorë, shkrimtarë. Sa shumë njeh ky njeri, mendoja dhe tinëz më cyste dyshimi: “I njeh vërtet apo ka dëshirë të “vjedhë” nga lavdia e tyre, të pozojë me ta si një fans i tyre!” Por jo, isha i gabuar. Kur vetë u njoha me të, ndjeva tek ai një rremb të fortë dashurie dhe adhurimi për artistët. Është i gatuar ashtu. Mësova se ishte një nga pasionantët e zejes së fotografisë. Ai ka krijuar galeri fotosh mbi artet dhe artistët, ku ti sheh se si lëviz historia. Mësova dhe diçka tjetër, si të ish’ një gurëz a vris që m’i lazdronte mendje e zemër. Iliri ishte nga po ai qytet prej nga dhe unë vija: Saranda. I rritur në jetimore. Edhe Jorgo Papingji në jetimore ishte rritur. Mbase kjo ishte një arsye më tepër e dhembshurisë së tij të hapur ndaj tij. Dy vite më parë nuk ngurrova aspak të shkruaja ca fjalë mbi librin e tij kushtuar poeteshës së këngës Zhuljana Jorganxhi. Dhe ja tani, rishtazi një libër tjetër me poezi të muzikuara, për një tjetër poet të shquar të këngës shqiptare, Jorgo Papingjin: libri “Jetoj”.

Njeriu lind dhe vdes në këtë jetë. Por sa ti e sfidon dhe e tejkalon vdekjen, harresën, sa ti bëhesh pjesë e kujtesës, sa ti i afrohesh maksimës biblike “urbi et orbi”, pra sa ti je pjesë e komunitetit tënd dhe më tej, e popullit tënd, e kombit tënd, e botës krejt? Jorgo Papingji me 4000 tekstet e këngëve që ka shkruar, u bë pak nga pak një EMËR, metaforikisht le ta quajmë një “urbi et orbi”, për qytetin e tij të Vlorës dikur dhe për mbarë Shqipërinë dhe hapësirën shqiptare më pas. Një poet që i dha kësaj kënge hir e nur bukurie, dritë e vezullim lirik. Ai ka fituar 5 çmime të para në Festivalin e Këngës në RTSH, 6 çmime të dyta dhe 5 çmime të treta po në RTSH, pra 15 çmime gjithsej. Ka 40 pjesëmarrje pa shkëputje në këto festivale, ndërsa në Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër ka fituar 32 çmime, nga të cilat 8 të para dhe 9 të dyta. Një buqetë plot, tinguj e vargje tok.

Papingji nuk ka “shkruar”, por ka gdhendur vargje. Vargje që do mbeten viteve. Vargje që u kanë dhënë peshë kuptimore tingujve. Ai u ka falur zërit të këngëtarëve një rubin më tepër, idiolektin e shpirtit të tij prej poeti. Dhe atë ia ka hedhur përsipër këngëve si një petk të bardhë, të ngrohtë, herë të butë e herë të vrullshëm, ku fryma dhe domethënia, të cilat burojnë nga shpirti i këtij populli, kanë fituar dje tjetër hapësirë, ndërsa sot tjetër gravitet.

Si ndër autorët më të njohur të teksteve të këngës, Jorgo Papingji nuk erdhi rastësisht. Gjeti një tokë të lëruar nga poetë të njohur të poezisë shqipe e më pas tok me Zhuliana Jorganxhi, Agim Doçi, Arben Duka, Gjok Beci etj., u bë një emër tejet i njohur. Afërmendsh se vargjet e tij nuk janë njëjtë si ato të poetëve të mirëfilltë; ndofta nuk e kanë po atë fuqi dhe shprehësi poetike si të atyre filigranëve dhe lojcakëve të fjalës së përpunuar shqipe, por ama kanë ritmin, rimën, elegancën, thellësinë e mendimit. Madje jo një herë ti ndjen nëpër vargjet e tij pushtetin e metaforave, të cilat ngulen thellë mendjes dhe të mrekullojnë me magjinë dhe fuqinë hipnotike. Ndryshe nga poetët e mirëfilltë, Jorgo Papingji ka lavdinë që të jep popullariteti i vetë këngës, pëlqyeshmëria masive e saj. Në një farë sensi, ai është bardi i pjesës më të mirë të kësaj kënge, i asaj që mbetet dhe sfidon kohën. Është një emër dhe portret i gdhendur në Parthenonin e festivaleve të këngës shqiptare. E fitoi bedenë pas bedene pjesën e epërme të këtij tempulli të muzikës sonë. I duhej shumë mund, shumë punë. Natyrisht talent. Tekstet e tij janë sot pjesë e historisë së saj.

Tek i shkruaj këto dy fjalë përshpirtjeje për Papingjin, dhjetëra vargje këngësh me të cilat u ushqyem, i recituam dhe me disa syresh u ndezulluam, më vijnë në mendje mes ngazëllimit që muzika na jep.

Kur zbardh agimi,/ Përherë unë ty të pres./ Bashkë me shoqet të shoh dhe ty./ Dhe dielli lind më shpejt,/ Dhe gazi zemrën ndez,/ Kur shihemi të dy… E kush nuk i ka fishkëllyer këta tinguj e këto vargje, aty “kur vellon nata hedh”?! Një erotikë e bukur, krejt e dëlirë, në një kohë kur burgjet e parimeve të ngurta kërkonin të tjera vargje. E kush nuk ka dashur “një dorë që ta shtrëngoj… e të them që po jetoj”, dikë që të vijë “me derën pa trokitur”? Dhe poeti klith në ekstazën e dashurisë: “Eja, eja dashuri/ Eja, eja përsëri/ Merrma zemrën time/ E më ndiz një zjarr të ri!…”

Krahas ngazëllimit dhe shpirtit të lartësuar, dashuria ka dhe befasitë e saj të bukura, teksa nga shumë portrete që mendja thur, vjen një ditë kur ajo të troket butë-butë, si një habi e madhe. Dhe i dashuri yt s’paska flokun e zi, as sytë e kaltër dhe emrin tingëllues që ti si vashë përfytyroje, por ai është NJERIU. Njeriu që bukuri ka virtytin…

Po, dashuria është kudo si ‘dritëz që shkëlqen, si zemra që troket, në krahët e një ëndrre, në gëzimin e një zemre’. Kudo. Veçse vargjet hedhin mbi tejalo edhe pikëllime zemrash të lënduara, “dashuri pa dashuruar”, “të tjera shpresa e sa zhgënjime”; sjellin dëshpërimin “nga një puthje gënjeshtare”, sjellin zemrën e plagosur, fragmente sensuale ku “era si gjethet e vjeshtës i shkuli nga pema/ piktura që koha ngjyrosi në mendje”. Sepse “ku ka dhimbje ka një dashuri”; sepse “jeta është si një lodër/ ku luhet si fëmijë”; sepse dashurinë, si Canti Cantorumi i jetës, si ndjenja më e bukur e më e thellë e saj, e “kush nuk e provon!…” Nuk është e lehtë dashuria miq, ka poshtë-e-përpjetat e saj, zhgënjimet e saj.

Andaj:

Ku shkuan fjalët që m’i thoje me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë,
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Andaj:
I thuaj Jo, të paktën vetëm sonte
I thuaj Jo!
Po ti më bën të trembem,
Të ulërij të çmendem,
Harroje vehten tende dhe mos shko!
Të lutem, me të mos shko!

Sa shumë vargje rrjedhin e bëhen zjarr për rininë, gazmendjen dhe vrullet e saj. Sepse ajo është kudo: ‘tek një zog që cicëron/ tek një çift që dashuron/ tek një lule që lulëzon/ tek një shpirt që kur nuk vdes…’

Por vargu shpesh edhe ngrihet lart si një shtatore trimërie, bëhet mit kombëtar. Sepse ky popull është gatuar “në një djep të bërë me dru”,

S’jam tribu, s’jam tribu,
Në kto troje në kto gurë
Kam lindur në ktë vend
E do vdes këtu.

Krahas temës sunduese të dashurisë, në tekset e këngëve të Papingjit ti sheh herë pas here klithma lirie, pjesë e shpirtit të tij. Vetë ai mëtonte fluturimin në qiej pa vargonj, qe një “shpirt bohem”, siç e përcakton Përparim Kabo, andaj erërat e këtij shpirti të bukur e të shpenguar, si perëndeshat e erërave Eliat, e rrëmbejnë me vete Papingjin drejt pafundësisë dhe kaltërsisë së deteve.

Dhe ai shpërthen: ‘Gonxhe që shpërthen rinia/, shqipe në flamur rinia…’

Teksa i kundon qindra e mijëra tekstet e këngëve të Papingjit, tok me “fluturimet” nëpër ajrinë´ dhe flladet poetike të vargut, ti dallon saora një përkushtim ideor që e organizon këtë varg, një shqetësim që rritet tok me të, një ide që pllenon mendimin e saj. Ai i ikën kotësisë, përsëritjeve pa fund, kur teksti katandiset ne 4 a 10 vargje. Ai e ngjiz fjalën me tingullin, e bën NJË. Vetë kënga është një simbiozë midis tekstit dhe muzikës, andaj këta dy elementë, si dy buajt mbrehur në parmendë tek lërojnë arën e artit, pra bujku-poet dhe farëhedhësi i fjalës duhet t’u grahë në atë mënyrë këtyre dy buajve që brazda të hapet sa më thellë e gjelbërimi të harliset tingujve.

Vargjet e Jorgo Papingjit nuk janë “tra-la-la dhe tri-li-li”. Përkundrazi, pas tyre ka një subjekt, ka brendi, ka jetë. Ka një histori. Diçka ngjet aty. Derdhet një jetë. Një dashuri. Një brengë. Vizatohet një portret. Aty ti ndjen një historizë që të prek, të emocionon. Edhe vetëm në dy vargje ndjehet një dashuri që digjet fshehtazi. Sepse “Ti je një ëndërr që s’e pashe/ Ti asnjë puthje nuk ta dhash…” Kjo kuptimësi që tekstet fitojnë: pra subjekti, historia, ngjarja dhe karakteri, tok me ndjeshmërinë dhe emocionalitetin, mëpastaj me gjallërinë, ritmin, zhdërvjelltësinë e fjalës dhe teknikën e “muzikimit” të vargut duke e ujdisur bukur mirë fjalën më tingullin – të gjitha këto shfaqen si veti muzikale të teksteve të tij. Ai i është shmangur klisheve që e zënë për këmbësh tekstin dhe i bëjnë vargjet ca vargëzime të rëndomta, të mërzitshme, pa fantazi, pa gjetje. Asnjëherë nuk mund të harrohet, nga ana tjetër, ajo cilësi e vargjeve të Papingjit për të përfshirë mes tyre edhe urtësi popullore, të cilat shkojnë gjer në filozofi: “Kush ka goca/ botën ka!…” Ose: “Njeriu s’plaket kur vjen mosha, por plaket kur don vetë…”

Dhe kur fjala rrënjëzohet thellë, kur shndërrohet në metaforë, ajo turavrapet mes metonimive dhe fiton dritën e kuptimit filozofik. Ja ku ia behin mëpastaj edhe vargje të tilla si: “…Ra një yll, dritë e zjarrtë/, ra dhe humbi, s’di se ku./ Ra një yll, e ti më pyete:/ Vallë ku humbi ylli, ku…!?/ Dhe atëher’ nga përjetësia/, iku, doli dhe u shua,/ U shua dashuria/, dhe u tret si një yll…”

Me të drejtë poetin, në një intervistë të tij për gjendjen e teksteve të këngës, e zë mëria dhe deklaron: “Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?!”

Pikërisht ky është thelbi i një teksti kënge. Edhe në tekstet e këngëve për fëmijë a për qytetet tonë, kdo ai derdh purpurin e një emocioni të bukur. Meqë unë vetë jam një sarandjot, sikur futem lirisht brenda përjetimit të Jorgos teksa e kundron magjinë e qytetin tim sipër nga kalaja e Lëkursit: “Bulevardi drita plot,/ Si ty nuk ka vend ne botë./ I them Zotit: “Ahhh, mor Zot!/ Si s’më bëre sarandjot…!?”

Jorgo Papingji u largua nga kjo jetë. U largua si oshënar me një aorë këngësh mbi krye. Lamtumirë poet! Shko në dritë se dritë le pas. Edhe ky libër dashurie për ty me fjalë nga artistët e shumtë, i punuar me zemër nga njëri prej miqve të tu, Ilir Çumanit, dritë ka në gjithë rrembin e vet, dritën e respektit, të vlerësimit, të dashurisë…

Hej, miku i madh i miliona shqiptarëve Jorgo Papingji, dua të të përshëndes me këto vargje të tuat:

Sa jetën time unë ju dua,
Ndaj erdha përsëri.
Dhe bashkë me ju kënduam,
Dhe gjetëm veten në çdo varg.
Në krahë ëndrrash fluturuam
Shkuam larg!…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb