Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në qarkullim. Monitorimi po kryhet përmes dronëve, radarëve dhe makinave inteligjente, duke u fokusuar në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë dy javëve të fundit, kontrollet kanë çuar në arrestimin e 2 shtetasve dhe procedimin penal të 3 drejtuesve të mjeteve për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu, në këtë periudhë janë pezulluar 9 leje drejtimi.
Në fokus të kontrolleve kanë qenë drejtuesit që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, personat që drejtojnë pa leje drejtimi, si dhe ata që tejkalojnë normat e shpejtësisë, kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore ka evidentuar gjithashtu raste të mosvendosjes së rripit të sigurimit, mosvendosjes së kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e mjeteve me dy rrota, si dhe qarkullimit me xhama të riveshur.
Në total, gjatë dy javëve janë vendosur 2268 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Nga këto, 102 masa janë vendosur për parakalime të gabuara, 237 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 9 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike.
Po ashtu, janë vendosur 80 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 37 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 104 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 36 masa për qarkullim me xhama të riveshur.
Një numër i konsiderueshëm i masave, konkretisht 1295, lidhen me parkimin ose qëndrimin e gabuar të mjeteve, ndërsa 368 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur edhe mjetet bashkëkohore logjistike për monitorimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes maksimal në drejtim, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Ndërkohë, qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
