Shërbimet e Policisë Rrugore të Shkodrës po punojnë 24/7 në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit veror, kur edhe fluksi i automjeteve është i shtuar.

Policia njofton se janë shtuar kontrollet intensive me mjete të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, për të monitoruar dhe ndëshkuar çdo shkelje që përbën rrezik potencial për jetën e qytetarëve apo që pengon qarkullimin.

Gjatë dy javëve të fundit, janë arrestuar 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë për “Drejtim të parregullt të mjetit” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithsej janë vendosur 2227 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor:

  • 703 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar
  • 688 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor
  • 333 masa për parakalime të gabuara
  • 153 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit
  • 131 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse
  • 124 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve
  • 43 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit
  • 40 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit
  • 12 masa për përdorim të xhamave të errësuar

Policia Rrugore nënvizon se kontrollet do të vijojnë në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale. Drejtuesit e mjeteve apelohen të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara dhe drejtimin nën efektin e alkoolit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb