SHKODËR – Varësia nga droga apo alkooli është një fenomen, që po njeh rritje, vitet e fundit.

Shumë përdorues të drogës kanë kontaktuar me qendra të ndryshme rehabilitimi; pjesa më e madhe e tyre i kanë braktisur, duke treguar mungesë vullneti për t’u çliruar nga bota e zymtë e drogës, ndërsa pjesa e vogël që mbetet i përshtatet rregullave të programeve terapeutike.

Një qëndër e tillë rehabilitimi për të varurit nga droga dhe alkooli, ndodhet në fshatin Nënshat të Shkodrës me emrin Qendra Komunitare “Papa Gjoni 23“.

Koordinatori i projektit, Samuel Polidori thotë:
samueli 1
“Komuniteti “Papa Gjoni 23” ka ardhur në Shqipëri 15 vjet më parë gjatë emergjencave të refugjatëve kosovarë. Që prej asaj kohe kanë ardhur edhe vullnetarët dhe misionarët tanë, pasi ne jemi një shoqatë vullnetarësh e misionarësh laikë. Tani, në të gjithë Shqipërinë kemi 3 “casa famiglie” që strehojnë 60 deri në 70 femijë; kemi këtë qëndër rehabilitimi, që është një strukturë që merret vetëm me persona të varur nga droga dhe alkooli, ndërsa në Tiranë kemi një shtëpi për personat e pastrehë.

Përveç kësaj kemi 2 projekte të rëndësishme ku njeri ka të bëjë me të varfrit në zonat e veriut shqiptar, pra për t’i ndihmuar dhe mbështetur ata.

Momentalisht po ndjekim 250 persona, që i përkasin kësaj shtrese. Pastaj është projekti tjetër, edhe ky i centralizuar në veriun shqiptar që ka të bëjë me dhënien e ndihmës për fëmijët dhe personat që vuajnë nga gjakmarrja. Edhe atje njohim shumë familje dhe kemi tek 200 – 250 persona të tillë.

Aktualisht, në këtë qëndër janë 10 djem, që kanë vendosur t’i nënshtrohen terapisë, por prej 2 vjetësh, këtu janë strehuar 25 persona; jo të gjithë personat që vijnë këtu zgjedhin të qëndrojnë, sepse të bësh programin e terapisë është shumë e vështirë, ndaj disa kanë ikur dhe kanë mbetur këta 10 djem. Por përpara se kjo qendër të hapej, na kanë kontaktuar qindra persona për t’u njohur me kushtet dhe programin që duhet të ndiqet për varësinë nga droga dhe alkooli. Ne e kemi këtë qëndër të hapur prej 2 vjetësh dhe programi zgjat 2 vjet. Këta janë djemtë e parë, që po zhvillojnë terapitë.

SI FUNKSIONON PROGRAMI TERAPEUTIK KUNDER DROGËS

Programi terapeutik është ai më i rëndësishmi e më i vështiri, ku secili ndjekës, mund të tregojë vullnetin dhe dëshirën për ta lënë njëherë e përgjithmone rrugën „vdekjes“ nga droga. Por si funksionon një program terapeutik, çfarë u kërkohet të varurve nga droga, sa e vështirë është për ta?

Terapisti Toni Di Loretto shpjegon:
toni 2

“Puna jonë ose programi që ne ndjekim me këta persona është e ndarë në 3 faza. Faza e parë është mikpritja, pra mirepresim djalin qëe vjen nga rruga. Pjesa më e madhe e djemve që vijnë përdorin metadonin, prandaj objektivi yne primar është heqja e metadonit. Kur arrijmë t’i heqim metadonin, janë ato 10 ditët e para që ata ndjehen shumë keq.

Sapo kalon kjo fazë, e cila zgjat 10 deri në 15 ditë, kohëzgjatja varet nga vetë personi, fillojmë të punojmë me ta. Kryesorja është që ata të jenë të ndërgjegjshëm për terapinë, të cilën e quajmë terapia e së vërtetës.

Pastaj është terapia e kreativitetit; stimulojmë djemtë që të jenë sa më shumë krijues me veten e tyre, me ato ç’ka kjo qënder i ofron.

Pastaj kemi terapinë me prindërit. Ajo që nuk duam kurrë të ndodhë është largimi i djemve nga prindërit e tyre. Prandaj 1 herë në muaj realizojmë takimin e djemve me prindërit e tyre; ata vijnë këtu, hanë me ne, rrinë me ne.

Pastaj është faza e dytë, që është më shumë terapeutike. Ka më shumë takime si individuale ashtu edhe në grup; djemve i kërkohen më shumë gjëra, më shumë përgjegjësi.

Pastaj është faza e rihyrjes, që ka të bëjë me rihyrjen e këtyre personave sërish në shoqëri. Fatmiresisht ne këtu në Shqipëri, pra komuniteti ynë „Papa Gjoni 23“, të ofron shumë mënyra për të rihyrë në shoqëri, p.sh në „Casa famiglie“ që kemi ndërtuar apo në Tiranë tek qendrat tona; disa djem, kuptohet ata që kanë dëshirë, i dërgojme me mision, pasi ne kemi misione te ndryshme në shumë vende të botës si në Kroaci, Itali, Brazil etj. Pastaj kemi edhe një fat, për të marrë disa bursa pune.

Për t’u kthyer tek programi, më duhet të pranoj se të tre fazat janë shumë të vështira e në baze të eksperiencës time, faza më e vështirë është ajo e rihyrjes në shoqëri,” theksoi terapisti.

(ar.sh/News 24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb