Ky është momenti kur 32-vjeçari Armando Ndreu qëllon me armë zjarri në drejtim të furrës së bukës, në lagjen “Skënderbeg”, në pronësi të shtetasit Sadet Sala, me të cilin kishte konfliktuar.

Në pamjet e siguruara për “BalkanWeb”, nga gazetari Senad Nikshiqi, shihet se si Ndreu afrohet me qetësi përpara ambienteve të furrës dhe nis të qëllojë me breshëri plumbash në drejtim të saj. Fatmirësisht, veç dëmeve materiale nuk ka pasur persona të lënduar. Sakaq, janë zbuluar dhe motivet që dërguan dy të rinjtë të degjeneronin sherrin deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Raportohet se dy të rinjtë, Armando Ndreu dhe Sadet Sala kanë qenë duke pirë së bashku në një lokal. Papritur dy të rinjtë në pije e sipër kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe janë konfliktuar. Sadet Sala, pronar i një furre buke në vendin ku pati të shtëna ka goditur me grusht 32 vjeçarin.

Ky i fundit ka shkuar në shtëpinë e tij që ndodhet në katin e 7-të të një pallati aty afër duke marrë një automatik kallashnikov dhe është rikthyer duke qëlluar në drejtim të Sadet Salës. Ky i fundit ka arritur që t’i shpëtojë plumbave. Pasi Armando Ndreu ka marrë mjetin e tij për t’u larguar, në atë moment dyshohet se pronari i furrës së bukës Sala ka qëlluar edhe ai me një pistoletë katër here, por edhe 32 vjeçari i ka shpëtuar plumbave. Nga të shtënat një plumb përfundoi brenda furrës së bukës në të cilën ndodhej shitësja e cila shpëtoi mrekullisht bashkë me kalimtarë të tjerë të rastit, banorët e pallateve që kanë shtëpitë aty dhe shitësit e subjekteve të tjera.

Një plumb kapi edhe një mjet të parkuar në anë të rrugës. Dyshohet se 32 vjeçari Ndreu ka qenë në gjendje të dehur kur ka qëlluar. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur policia ka mbërritur aty duke nisur hetimet paraprake. Efektivët kanë identifikuar autorin e dyshuar shtetasin, Armando Ndreu 32 vjeç, banues në lagjen Skenderbeg dhe pronarin e furrës së bukës, shtetasin Sadet Sala. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tyre.

NJOFTIMI I POLICISË MBI NGJARJEN E DJESHME

Rreth orës 19:40, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, shtetasi A. N., 32 vjeç banues në lagjen “Skënderbeg”, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin S. S., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një objekti (furrë buke) në pronësi të shtetasit S. S., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb