Dalinin detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë në Durrës, ku u gjet i pajetë 54-vjeçari A. H., i cili rezulton se ishte punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh.
Sipas informacioneve të fundit, dyshohet se viktima kishte shkuar në zonë për verifikimin e situatës, në kuadër të detyrës së tij, për shkak të problematikave të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën.
Trupi i pajetë i 54-vjeçarit u gjet në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak, pas kërkimeve të zhvilluara nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera zyrtare në vijim.
