Qëndresa Qytetare ka protestuar sot kundër planit të qeverisë për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ata e kanë cilësuar marrëzia e radhës duke theksuar se kjo nuk është një luftë mes shkencëtarësh, por luftë për institucionet e pavarura.
“Duhet të solidarizohemi me këta akademikë. Nëse nuk solidarizohemi, diktati i VKM-së do prekë çdo pjesë të jetës sonë.
Ky institucion e gëzon autonominë, nuk ka arsye që të mos pyetet. Nuk ka arsye kur një vit më parë ministrja deklaron se është institucion ekselent, dhe pas një viti të pranojë një draft.
Qytetarët të mos e shikojnë si një luftë mes shkencëtarëve, është një luftë për institucione të pavarura, për transparencë, llogaridhënie”, deklaruan ata.
Sipas tyre, është në rrezik kërkimi shkencor.
“Ndodhi marrëzia e radhës. Ashtu siç ka kryer veprime dhe ka nxjerrë VKM për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë e tyre, ashtu po bën tani. Ka një lloj paligjshmërie, sepse ligji përcakton se kur institucionet nuk përmbush veprimtarinë, atëherë qeveria mund ta mbyllë.
Ndërkohë që shohim se nuk ka asnjë kriter, por duan ta bëjnë studiuesin, pjesë të akademisë part time. Është në rrezik kërkimi shkencor”, thanë ata.