TIRANE – Prej rreth dy muajsh po bllokohen pagat e 10 mijë punonjësve të pushtetit vendor. Reforma territoriale po shoqërohet me probleme jo të vogla, pasi pagat e punonjësve po mbahet peng dhe për shkak të konstituimit me vonesë të këshillave bashkiakë, organe që kanë në dorë dhe caktimin e numrit të punonjësve dhe miratimin e pagave për administratën. Shqetësimi për këto vonesa u ngrit me forcë nga kreu i shoqatës së komunave në Shqipëri, Agron Haxhimali, i cili në një prononcim për gazetën “Shqip” se ky numër prej 10 mijë personash u përket punonjësve të ish-komunave në shkallë vendi. Bllokimi i numrave të llogarive të komunave në korrik pas një urdhri të firmosur nga ministri i Financave la pezull dhe të paqartë mënyrën e pagesës së punonjësve të administratës. Gjithsesi, edhe pse pa paga, ata vijojnë të jenë ende në detyrë. Këta punonjës nuk janë paguar ende për muajin korrik, edhe pse ka kaluar gjysma e gushtit, duke rrezikuar dhe pagesën për muajin e dytë. Punonjës të komunave të Tiranës, të kontaktuar nga gazeta “Shqip” shprehen se po punojnë duke marrë dhe borxhe, por nëse qeveria nuk i përgjigjet, atëherë ata do të rebelohen, duke mos u ofruar shërbime qytetarëve. Ndarja e re territoriale, zgjedhjet e 21 qershorit kanë shkaktuar një situatë kaotike për çështjen e pagesës së administratës të pushtetit lokal. Punonjësit e komunave të shkrirja kalojnë automatikisht në organikën e bashkisë së re, por deri më tani këshillat nuk kanë miratuar fondin e pagave apo dhe strukturat e reja organike.

Urdhri i Canit

Në fillim të muajit korrik, Ministria e Financave sqaroi se nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, sipas urdhrit të ministrit Cani, kanë të drejtën e veprimit në degën e Thesarit përkatëse për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015. “Çdo rast specifik, pas datës 10 korrik 2015, do të trajtohet ‘rast pas rasti’ nga Ministria e Financave”, theksohej në këtë urdhër, duke lënë të kuptohej se të gjitha pagesat, pas kësaj date do të kalonin për shqyrtim në ministri. Pagat e korrikut do të firmosen nga kryetarët e rinj të bashkive. Ministria e Financave sqaronte se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkriheshin në bazë të reformës, duhet të paguanin deri në datën 7 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmbante datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidonin shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore etj.), të muajit qershor, brenda datës 7 korrik 2015. Urdhri i kryefinancierit përcaktonte se, të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në 07 korrik 2015 do t’i trashëgoheshin njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent tatimor administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, do të rakordoheshin dhe alokoheshin, po ashtu, deri më 7 korrik 2015.

Fati i 10 mijë punonjësve

Haxhimali ngre edhe një tjetër shqetësim pikërisht për ata punonjës, kryesisht të komunave të shkrira në njësitë e reja administrative, të cilët ende nuk kanë të përcaktuar të ardhmen e tyre në bashki, kjo pasi, sipas Haxhimalit, bashkitë e reja ende nuk kanë bërë të ditur strukturën e re, e cila do të marrë më parë miratimin nga këshillat bashkiakë. “Sipas meje, numri total i punonjësve të pushtetit vendor ka qenë rreth 10 mijë nga të cilat rreth 3500 gëzonin statusin e nëpunësit civil. Me strukturat e reja, askush nga këta qoftë punonjës me status qoftë punonjës me kontratë bazuar në Kodin e Punës, vazhdojnë të jenë në ankthin e presionit për largim nga puna për shkak të reformës. Askush nuk i ka qartësuar apo udhëzuar bashkitë se çfarë do bëhet me ta. Shkelje flagrante është fakti që edhe sot datë 15 gusht (dje) asnjë nga punonjësit e ish-komunave dhe bashkive nuk ka marrë pagën mujore. Kësaj i thonë shaka burokracie me bukën e gojës”, thotë Haxhimali. E teksa Ministria e Çështjeve Vendore ka komunikuar se pagesat do të kryhen të gjitha edhe pse me disa ditë vonesë, krerët të komunave, si dhe punonjës të pushtetit vendor shprehin keqardhje për këto vonesa. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, disa prej tyre shprehen se nuk ka asnjë arsye pse pagesat të mos kryhen kur në një kohë 60 këshillat bashkiakë janë konstituuar, përveç atij të Shkodrës. Përtej kësaj, ata shprehen se nëse këto vonesa do të zgjasin edhe në muajin shtator, ata do të ndërmarrin veprime të tilla siç janë ndërprerja e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Shqetësimet

Kreu i Shoqatës së Komunave në Shqipëri, ndër të tjera rendit edhe disa probleme të tjera, që sipas Haxhimalit mbeten shqetësuese për punonjësit e administratave. “Probleme të tjera që tregojnë se gjërat s’po funksionojnë mirë janë: së pari, janë të paqarta strukturat e reja, si do funksionojnë njësitë administrative dhe detyra aspak të qarta. Së dyti, deri tani nga bashkia apo Ministria e Financave nuk ka dalë ndonjë udhëzim për mënyrën si do operohet vjelja e të ardhurave taksat dhe tarifave. Nuk ka asnjë ligj, udhëzim apo dhe strategji bashkie se si do mblidhen dhe në ç’raport do kthehen aty. Pra si do i marrin investimet njësitë vendore? Referuar çfarë i japin buxhetit të bashkisë? Pra nuk ka një formulë ligjore për këtë? Pse kjo mjegull? Sepse mungon ligji për Financat Publike ndër të tjera”, thotë ai, duke shtuar një tjetër shqetësim pikërisht atë të mandat-arkëtimeve nga njësitë vendore edhe pas datës 7 korrik, gjë që urdhri i Ministrisë së Financave e parashikonte deri më këtë datë. “Në dijeninë time nuk ka shkuar asnjë udhëzim në bankat e nivelit të dytë për mandat-arkëtimet që lëshohen nga institucionet. Konkretisht: ka subjekte që kanë marrë faturën për arkëtim në qershor ose më parë dhe e kanë bërë pagesën në bankë pas datës 07 korrik me emër dhe kod përfituesi të ish-komunës përkatëse. Ky fenomen u ka ndodhur pothuajse të gjitha komunave”, thotë ai. Ndër të tjera, ajo që mbetet ende e pasqaruar nga bashkitë e reja është pikërisht fakti nëse do të kenë apo jo njësitë administrative arka të tyre të veçanta nga bashkitë e mëdha duke marrë parasysh këtu faktin se ato do të kryejnë shërbime për fshatrat.

Ministria e Çështjeve Vendore pranon situatën, Hoti: Pagesat bëhen në fund të muajit gusht

Për Ministrinë e Çështjeve Vendore kjo vonesë e pagave është e justifikueshme, pasi vonesa ka ardhur thjesht për shkak të konstituimit të bashkive dhe këshillave bashkiakë. Të gjithë punonjësit e pushtetit vendor që ende nuk kanë marrë pagat e muajit korrik, por edhe atë të gushtit meqenëse ka kaluar 15 ditësh i këtij muaji, do t’i marrin ato pas miratimit të vendimit përkatës në çdo këshill bashkiak. Për gazetën “Shqip”, këshilltari i ministrit të Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, Enea Hoti, sqaron gjithë procesin që do të ndiqet për këto pagesa. “Kryetarët dhe këshillat sapo janë konstituuar dhe normalisht që do të ketë vonesa për pagesat e muajit korrik. Aktualisht, në muajin gusht po bëhen konstituimet e këshillave dhe në mbledhjet e para po miratohen buxhetet dhe mbi bazën e këtyre vendimeve do të bëhen pagesat. Zakonisht pagesat e korrikut merren në fillim të gushtit, por për shkak të zgjedhjeve dhe konstituimet do të paguhen deri në fund të muajit gusht. Këtu bëhet fjalë edhe për pagat e prapambetura që të gjithë punonjësve u takojnë me ligj”, shpjegon këshilltari i ministrit të Çështjeve Vendore. Ndër të tjera, ai bën me dije edhe faktin se “kush largohet për pasojë ristrukturimi do të marrë pagat që i takojnë me ligj”. Ndërkohë që të gjitha bashkive, Ministria e Çështjeve Vendore u ka paraqitur paraprakisht një projektvendim për miratimin e numrit të punonjësve të bashkisë, institucioneve në vartësi dhe të njësive administrative, ku dhe ka propozuar numra për punonjës në çdo bashki apo dhe njësi administrative. Nga sa mësohet, edhe pse bashkitë e konstituara që kanë nisur tashmë nga puna normalisht dhe me mbledhje të rregullta të këshillave bashkiakë, nuk e kanë vënë në zbatim këtë projektvendim për sa i përket numrit të punonjësve që janë propozuar nga ministria përgjegjëse, duke hartuar kështu një strukturë me numra të ndryshëm punonjësish. Gjithsesi, ato që do të preken më së shumti nga shkurtimet e vendeve të punës janë njësitë administrative ose ish-komunat, ndërsa strukturat e bashkive do të kenë shumë pak ndryshime.(marre nga Gazeta Shqip)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: