Zyra për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup hapi të martën një procedurë për hetime të mëtejshme që do të përcaktonin masën ndaj një gjykatësi të Gjykatës së Lartë, i cili është ndaluar nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Edhe për një person tjetër ekzistojnë dyshime për veprën penale të pranimmit të rryshfetit, sipas Kodit penal të Maqedonisë së Veriut.

Ndonëse prokuroria as autoritetet policore nuk japin emra, një pjesë e medias duke u mbështetur në burime brenda gjykatave dhe policisë thonë se gjykatësi i akuzuar dhe ndaluar është Nake Georgiev, i cili thuhet se ka marrë dhjetë mijë euro ryshfet nga një person dhe se policia i ka gjetur menjëherë paratë tek gjykatësi.

Personi i dytë, sipas medias në Shkup, është Ixhet Mehmeti, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë. Këta të dy kërkonin para kundrejt premtimeve për t’ia lehtësuar gjendjen ish-kryetarit të komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev i ndodhur në paraburgim, nën akuzat për kontrabandë me drogë. Djali i këtij të fundit e ka denoncuar në polici kërkesën e gjykatësit për ryshfet.

Policia maqedonase e ndaloi të hënën në mbrëmje gjykatësin Georgiev në çastet e kryerjes së veprës penale, sipas një komunikate të autoriteve të rendit, shkruajnë mediat.

Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor në mesnatë e miratoi vendimin për t’ia hequr atij imunitetin e gjykatësit dhe për ta larguar nga detyra.

Më pas janë bërë bastisje në ambientet e Gjykatës së Lartë dhe në shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit të dytë, i cili dyshohet se ka pasur ndikim në kërkesën e ryshfetit, shkruajnë mediat vendase.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: