Asambleja Kombëtare Franceze ka miratuar seksionin e buxhetit të vitit 2026 për sigurimet shoqërore, me 247 vota pro, 234 kundër dhe 93 abstenime, duke zbutur rrezikun e një tjetër krize qeveritare në vend. Ky ishte segmenti më i debatueshëm i buxhetit, ai që deri dje ka shkaktuar kundërshtimet më të forta politike mes forcave parlamentare.
Sipas analistëve francezë, votimi përforcon dukshëm pozitën e Kryeministrit Sébastien Lecornu, i cili, ndonëse nuk ka shumicën në Parlament, arriti të sigurojë miratimin e projektligjit përmes negociatave dhe kompromisit politik, duke shmangur përdorimin e një dekreti presidencial – një instrument që shpesh ka tensionuar klimën politike në Francë.
Në këtë votim, ligjvënësit që mbështesin Presidentin Emmanuel Macron dhe Partinë Socialiste votuan kryesisht pro projektligjit. Kundër votuan Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë dhe forcat radikale të majta të Francës së Panënshtruar. Deputetët e qendrës së djathtë, të gjelbërit dhe disa ish-mbështetës të Macron-it zgjodhën të abstenojnë.
“Kjo shumicë përgjegjësie tregon se kompromisi nuk është vetëm një slogan, por një rrugë që na lejon të ecim përpara në interesin e përgjithshëm”, shkroi Kryeministri Lecornu në platformën X, pasi rezultati u konfirmua. Edhe pse shumë deputetë që votuan pro pranuan se disa dispozita të buxhetit nuk i kënaqin, ata theksuan se “buxheti ideal është i pamundur” dhe se “një buxhet i keq është më i mirë se mungesa e buxhetit”, duke nënvizuar nevojën për stabilitet politik dhe institucional në një periudhë të ndjeshme për Francën.
