Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë ka reaguar me tronditje pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt barbar dhe të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare.

“Marrja e jetës së një gjyqtari, brenda mureve të gjykatës, godet rëndë shoqërinë dhe shtetin në tërësi,” thuhet në deklaratë, ku theksohet se sulmet ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës.

Reagimi:

Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku gjatë ushtrimit së detyrës të tij, u ekzekutua në mënyrë barbare gjyqtari dhe kolegu ynë i nderuar, Astrit Kalaja.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve!

Kjo ngjarje, e pa precedent në historinë shqiptare dhe e pa pranueshme në një vend demokratik, ngre alarmin mbi mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore dhe aktorët e drejtësisë si gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.

Dhuna ndaj aktorëve të sistemit të drejtësisë, qoftë fizike apo verbale paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë rendit kushtetues dhe parimeve mbi të cilat mund vetëm të ngrihet shteti i së drejtës.

Gjuha agresive ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në jetën publike nuk mund të vijojë të gjejë më hapësirë në kulturën e një vendi të civilizuar, duke ushqyer manifestime dhune, të cilat venë në dyshim zhvillimin dhe respektimin e çdo vlere njerëzore.

Marrja e jetës së një gjyqtari, brenda mureve të gjykatës, vendi që prezumohet të ofrojë sigurinë e padiskutueshme ligjore dhe njerëzore të ruajtjes dhe konsolodimit të të drejtave dhe lirive të çdo individi dhe personi, godet rëndë shoqërinë dhe shtetin në terësi.

Sot, dhuna nuk morri vetëm jetën e një njeriu dhe një profesionisti të nderuar të drejtësisë, por goditi simbolin e zhvillimit mbarëshoqëror të një vendi, i cili ka punuar e po punon ndër dekada të distancohet bindshëm prej saj.

Shoqata e Avokatëve Penalistë u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin menjëherë masa efektive për trajtimin e rastit, garantimin e sigurisë së të gjithë aktorëve të drejtësisë, si dhe të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për nxitjen e një kulture respekti ndaj figurës së tyre.

Drejtësia mund të ekzistojë vetëm në një mjedis të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga frika!

U prefsh në paqe Gjyqtar Astriti!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb