Këtë të hënë në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, mbi 90 anëtarë të Shoqatës së Pëllumbave të Postës “2003” zhvilluan një protestë, pas urdhrit të dhënë nga kreu i KOKSH, për ndalimin e daljes jashtë territorit shqiptar të pëllumbave garues.

Sipas drejtuesit të garës, Kujtim Beqja, autoritetet doganore nuk kanë paraqitur asnjë dokument zyrtar që të argumentojë pengesën ndaj shoqatës.
Ai pretendon se situata është krijuar për të ushtruar presion mbi anëtarët, me qëllim regjistrimin e tyre në një tjetër organizatë të lidhur me drejtues të KOKSH.
Nga ana tjetër, nënkryetari i shoqatës, Arben Piroli, deklaroi se aktiviteti i tyre është jofitimprurës dhe se çdo anëtar investon shuma të mëdha për mbarështimin dhe përgatitjen e pëllumbave për gara.

Ai shtoi se bllokimi në kufi u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Edhe përfaqësuesi ligjor i shoqatës, Hysen Rama, reagoi ndaj situatës duke theksuar se ndërhyrja e doganës, e bazuar në kërkesën e KOKSH, është jashtë kompetencave ligjore. Sipas tij, institucionet doganore duhet të kufizohen vetëm në verifikimin e dokumentacionit veterinar dhe procedurave teknike.
Pas rreth një ore debatesh dhe bllokimi në pikën kufitare të Qafë-Thanës, autoritetet lejuan kalimin e automjetit që transportonte 3800 pëllumba garues, të cilët do të konkurrojnë në itinerarin nga Beogradi drejt Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb