Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase do të zhvillojë sot një seancë publike në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kërkon shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për akcizën e birrës.

Në një prononcim për News24, Sajmir Laçej, përfaqësues ligjor i shoqatës së prodhuesve të birrës theksoi se ky ligj e dyfishon akcizën e birrës dhe se dëmton prodhuesit vendas.

Laçej tha mes të tjerash se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jepet edhe sot, ose brenda 30 ditëve. Mes të tjerash ai thekson se një vendim i tillë për dyfishimin e akcizës krijon një precedent jo të mirë për Shqipërinë, për biznesin vendas, por edhe për investitorët e huaj.

“Jam Sajmir Laçej, avokat. Përfaqësoj shoqatën e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase. Jam këtu për të përfaqësuar çështjen kundër Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me shfuqizimin e dyfishimit të akcizës për prodhim vendas dhe jo vetën. Për të gjithë prodhuesit e vegjël, vendas dhe jashtë saj, që nga 1 janari 2023 është dyfishuar akciza e birrës, duke deformuar një ligj të përafruar që në 2012 dhe në kundërshtim me nenin 4 të direktivës 92/83 në lidhje me taksimin e produkteve të birrës. Sot në orën 10 jepen konkluzionet përfundimtare, dhe pritet vendimi, që ditën e sotme ose deri brenda 30 ditësh nga mbarimi i seancës. Shpresoj që punë e mirë që ka bërë Gjykata Kushtetues, duke dëgjuar argumentet dhe bërë pyetje profesionale, të finalizohet me një vendim në favor duke shfuqizuar një deformim që krijon një precedent jo të mirë për Shqipërinë, për investitorët e huaj, pasi duhen të mbrohen në radhë të parë ata vendas, për të dhënë një model që mbrohen edhe ata të huaj.”, tha ai.

Çfarë kërkon Shoqata e Prodhuesve vendas të Birrës?

Shoqata “Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase” ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimi e pjesshëm të ligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, për “Kategoria B000, kodi NK 22 03, produkti “Birra nga malto me shkallë alkolometrike ndaj volumit më të madhe se 0.5%”. Pala kërkuese, duke iu referuar relacionit të projektligjit thotë se përveç vlerës shtese te llogaritur ne te ardhurat nga akcize prej 260 milion lekë, është pretenduar po hiqet fasha 200 000 mije HL per te nxitur rritjen e prodhimit vendas sepse nuk janë te motivuar te rriten se paguajnë me shume taksa dhe gjithashtu për te luftuar evazionin.

Kjo, sipas palës kërkuese, prodhimi vendas është ulur me 7% për shoqëritë qe përfaqëson shoqata, vlera 2 shifrore. Ndër të tjera, thuhet në argument se të ardhurat shtese te pretenduara 260 Milionë leke janë mbledhur, por për shkak te rënies se numrit te punësuarve rreth 12% dhe rënies se tatim fitimit dhe te ardhurave nga TVSH nga prodhimi vendas rezultati total është negativ. Gjithashtu, Shoqata e Birrave argumenton se “ne Shqipëri niveli i akcizës është 4 here me larte se niveli minimal i akcizës se birrës rekomanduar nga Direktive 92/84/EEC dhe nuk ka asnjë presion për te përafruar nivelin e taksimit me BE sepse është arritur qe ne vitin 2012”. Gjithashtu shoqata shprehet se asnjë shoqëri shqiptare nuk ka prodhuar mbi 200 mije HL.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb