NGA: ORNELA MANJANI*
Shoqata për “Pronësi me Drejtësi” nuk do të heqë dorë nga kompensimi i pronave me vlerën e tregut, edhe pse fatura e lartë prej 1 miliard eurosh që ka deklaruar ministri i Financave, Arben Ahmetaj cenon rëndë sigurinë fiskale të vendit. Në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”, Myrshit Vorpsi nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi” tha se situata në të cilën ndodhet çështja e pronësisë në vend dhe faturat e larta publike që rrjedhin prej saj nuk janë për faj të ish-pronarëve. “Kur bëhet fjala për sigurinë fiskale dhe publike, gishti nuk duhet të drejtohet nga ish-pronarët. Nuk jemi ne, ata që kemi faj. Armiq ishim në komunizëm. Armiq edhe tani. Qysh nga viti 1992 politika i përdori pronat e ishpronarëve për qëllime politike. I tillë qe ligji 7501, por edhe vendime të tjera me karakter korruptiv, që politika mori më vonë në favor të saj”, tha Vorpsi.
Sipas tij, sërish politika po bën politikë me çështjen e pronës, ndërsa ish-pronarët kanë vendosur të ndjekin të drejtat e tyre në rrugë ligjore. Vorpsi tha se ligji i është çuar për ankimin në Kushtetuese dhe pavarësisht vendimit të saj, më tej çështja do të ndiqet në Strasburg. Pasi të jetë dhënë vendimi nga Kushtetuesja, Gjykata e Strasburgut do të trajtojnë ankimin e ish-pronarëve shqiptare, duke shqyrtuar ligjin e ri të pronave për përputhshmërinë me konventat e drejtave të njeriut. Sipas Vorbsit, janë mbi 400 dosje dhe shqyrtim i tyre nuk mund të ndalohet.
“Shqyrtimi i dosjeve në Strasburg vijon. Jemi në një situatë me dy standarde, pasi dosjet që janë atje shqyrtohen me ligjin e vjetër, ndërsa këto që do të shkojnë, do të shqyrtohen me ligjin e ri. Ne jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Padyshim që e kundërshtojmë ligjin e pronave. Meqë qeveria nuk përballon koston e faturës me paratë e taksave, le të marrë paratë e tokave që ka ndarë me ligjin 7501 dhe të kompensohen pronarët. Në asnjë vend të botës nuk mund të marrësh një tokë pa e paguar. Janë 600 mijë familje që kanë marrë tokë me këtë ligj dhe s’kanë paguar asnjë lekë. Janë edhe tokat që po jepen falas për legalizimet, të cilat janë përdorur në pesë fushata elektorale për të marrë vota dhe me to po bëhet fushatë edhe sot”, thotë Vorbsi.
MINISTRI I FINANCAVE
Kompensimi i pronave dhe faturat që po vijnë në favor të pronarëve nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të njeriut në Strasburg janë kthyer në “kërcënim” për buxhetin e shtetit. Brenda 2-3 viteve të fundit, fatura që mund t’i vijë qeverisë shqiptare nga Strasburgu mund të shkojë mbi 1 miliard dollarë. Kjo është cilësuar si faturë marramendëse nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili paralajmëroi dje se buxheti i shtetit mund të përballet me dënimet e Gjykatës së Strasburgut, nëse nuk do t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave. “Mënyra se si është menaxhuar çështja sot mund të sjellë një risk nga Strasburgu, i cili mund të kalojë, nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur, në mbi 1 miliard dollarë në 2-3 vitet e fundit. Ky do të jetë risku më i madh që mund të kalojnë 99 për qind të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Ahmetaj.
LLOGARITJA
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi do të kryhet me para. Këtë pikë e kundërshtojnë fort pronarët, pasi sipas tyre, zhvlerëson pronën. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/ 2015 dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Neni 8 pika a e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
