Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatimit të Ligjit (AALEA) festoi 5-vjetorin e saj me një natë gala ku shpërndau dhe çmimet e saj vjetore, duke nderuar përkushtimin, shërbimin dhe angazhimin e anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Ngjarja ishte një dëshmi e arritjeve të organizatës dhe e përpjekjeve të palodhura të drejtuesve të saj për të celebruar arritjet e komuniteti profesional të shqiptaro-amerikanëve në fushën e ligjit dhe për të rritur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës me homologët e tyre në SHBA.
“Sonte ne festojmë jo vetëm arritjet e organizatës sonë por edhe përkushtimin, shërbimin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin tonë”, theksoi Elton Shametaj, themeluesi dhe kryetari i shoqatës.
Nata ishte gjithashtu një rast për të vlerësuar kontributet shembullore të disa të nderuarve. Olta Bejleri Segura u vlerësua me çmimin AALEA Gruaja e Vitit. Bejleri Segura, një Ndihmës Prokurore e SHBA që nga viti 2021, ka qenë një burim krenarie për komunitetin shqiptaro-amerikan, për sukseset e shumta në fushën e saj profesionale, duke marrë vlerësimin e mjaft drejtuesve të lartë amerikanë në Departamentin e Drejtësisë.
Ndihmës shefi Joseph M. Gulotta mori çmimin AALEA Njeriu i Vitit për përpjekjet e tij proaktive për të trajtuar dhunën me armë në Staten Island. Ndërkohë, gjyqtari i nderuar Thomas Quinones u vlerësua me çmimin AALEA të Lidershipit për rolin e tij pionier si gjyqtari i parë hispanik në stolin e gjykatës së qytetit Yonkers.
Te ndëruarit e tjerë të mbrëmjes ishin Kapiteni Luigi Carrubba, i cili mori Çmimin e Shërbimit Komunitar AALEA; Selim Celmeta me Çmimin e Togerit të Shquar të Vitit; Rreshterja Romina Cekani; Detektivi Dritan Lazami; si dhe Aleksandër Nilaj, i nderuar për punën e tij bamirëse nëpërmjet Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Dorës së Hapur.
Në celebrim mori pjesë dhe Ambasadorja Suela Janina, përfaqësuesja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht, një përshëndetje të veçantë erdhi nga Rabini Mendy Mircznik, presidenti i Këshillit të Organizatave Hebraike në Staten Island. Rabini Mircznik vlerësoi punën e Shametaj dhe të gjithë zbatuesve të ligjit shqiptaro-amerikanë, të cilët kontribuojnë në komunitet dhe në shoqërinë e gjerë amerikane.
AALEA është një organizatë kombëtare jofitimprurëse me mbi 800 anëtarë nga agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Misioni i organizatës është të nxisë lidhje më të forta midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe forcave të zbatimit të ligjit nëpërmjet shërbimit dhe rrjetëzimit në komunitet.
Duke shfrytëzuar aksesin e lidershipit dhe anëtarëve të saj aktivë, shoqata ka ndërtuar ura me Policinë e Shtetit Shqiptar, Policinë e Kosovës dhe departamente të ndryshme të zbatimit të ligjit në SHBA, duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave.
