Në kuadër të 106-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Shoqata Tirana “Nderi i Kombit” organizoi spektaklin tradicional “Sofra Tiranase”, një aktivitet që ndërthur artin pamor me muzikën dhe traditën qytetare, duke sjellë në vëmendje vlerat më të mira të kryeqytetit ndër vite.
Mbrëmja festive u çel me një ekspozitë pikture, ku u prezantuan punimet e disa prej piktorëve më të mirë tiranas, mes tyre edhe krijime të mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, një nga figurat më të njohura të artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Ekspozita solli një udhëtim artistik përmes ngjyrave dhe motiveve që pasqyrojnë shpirtin, historinë dhe identitetin e Tiranës.
Në aktivitet i pranishëm ishte edhe prefekti i Tiranës Shkëlqim Hajdari.
“Sfida e dytë që ka Tirana dhe shoqata është plotësimi i Muzeut historik të Tiranës. Unë i garantoj gjithë qytetarët e Tiranës autokton që si prefekt i Tiranës, që në bashkëpunim me bashkinë atë banesë autoktone Tiranase ne do ta kthejmë në Muzeun historik të Tiranës”, tha ai.
Pas hapjes së ekspozitës, skena iu la koncertit tradicional “Sofra Tiranase”, i cili mblodhi artistë dhe këngëtarë të njohur nga Tirana, Shqipëria dhe përtej kufijve të saj. Atmosfera u karakterizua nga këngë qytetare tiranase, interpretime plot emocion dhe një ndërthurje brezash që solli në skenë traditën e gjallë të kryeqytetit.
Ky aktivitet tashmë i kthyer në traditë, jo vetëm që feston një moment historik për Tiranën, por shërben edhe si një urë lidhëse mes artit, kulturës dhe komunitetit, duke forcuar identitetin qytetar dhe krenarinë për historinë e kryeqytetit shqiptar.
