Blerjana Bino, drejtuese e SciDev, dhe gazetari i BIRN, Besar Likmeta, kanë shprehur shqetësimet e tyre për draftin e ri të Kodit Penal, gjatë një interviste në News24, duke theksuar se disa nene të propozuara rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Drejtuesja e SciDev, Blerjana Bino, vlerësoi reagimin e kryeministrit pas deklaratës së shoqërisë civile, por kritikoi gjuhën e përdorur. “Më erdhi keq që kryeministri iu referua këtyre shoqatave si ‘zhurmues’. Ne kishim një kritikë konstruktive dhe propozime të qarta për rishikime në draftin e kodit,” u shpreh ajo.

Gazetari i BIRN, Besar Likmeta, theksoi se ndonëse reagimi i kryeministrit ishte i shpejtë dhe i mirëpritur, drafti në vetvete mbart probleme serioze. “Ka një kakofoni nga institucionet për përgjegjësinë mbi nenet. Ne kemi evidentuar se rekomandimet e Komisionit Evropian për shpifjen nuk janë reflektuar në draft,” tha ai.

Likmeta shtoi se nene të tjera të draftit mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës dhe të ndikojnë negativisht në të drejtën e shprehjes, duke apeluar për rishikim të kujdesshëm të dokumentit ligjor.

Të dy theksuan rëndësinë e dialogut mes shoqërisë civile, gazetarëve dhe institucioneve, për të garantuar një Kod Penal që respekton liritë themelore dhe standardet evropiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb