Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se ka shpallur persona non-grata gjashtë diplomatë rus të akredituar në Podgoricë.

Në postimin e tyre në Twitter thuhet se ata shpallen non-grata “për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka deklaruar të enjten se autoritetet shtetërore po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.

Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende.

Ai ka thënë se marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, si dhe Prokurorisë Speciale të shtetit, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë edhe një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka për qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.

Më herët gjatë ditës është bërë e ditur se bastistjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

Lajmi është konfirmuat për Radion Evropa e Lirë nga prokurori special i këtij vendi, Vukas Radonjiç.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh. Deri më tash nuk është arrestuar askush”, ka thënë Radonjiç.

Kujtojmë se Agjencia për Siguri Kombëtare ka njoftuar më parë, jozyrtarisht, se shërbimet ruse kanë qenë mbrapa një sulmi të fuqishëm kibernetik që ka çaktivizuar infrastrukturën shtetërore të teknologjisë informative, në fund të gushtit të këtij viti.

Pasojat e sakta të këtij sulmi nuk dihen ende.

Kryeministri Abazoviç nuk e pati konfirmuar këtë informacion atëbotë.

Ekspertët nga Byroja Federale e Hetimeve të SHBA (FBI) janë angazhuar për t’i ndihmuar Malit të Zi në hetimin e sulmeve kibernetike.

Marrëdhëniet diplomatike midis Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar nga viti 2014, kur Podgorica ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian, të vendosura ndaj Moskës për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt të këtij viti.

Rusia është kundërpërgjigjur, duke e shpallur Malin e Zi si “shtet jomiqësor”.

Në gjashtëmujorin e fundit, Podgorica zyrtare ka dëbuar gjashtë diplomatë rusë për, siç është thënë, aktivitete që bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb