TIRANË

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 iu është përgjigjur akuzave që Partia Demokratike ka bërë në adresë të tij për shpenzimet e kryera gjatë vizitave jashtë vendit. Ai theksoi se akuzave të PD do t’ju përgjigjet  vetëm përmes institucioneve të drejtësisë, ndërsa shtoi se për këtë çështje, ka dorëzuar dje dokumentet dhe provat në Prokurori.

“Besoj që është gjëja më e duhur për të bërë, të gjithë baltës dhe fakenews është mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur përmes institucioneve të drejtësisë, të cilat do të bëjnë transparencë për publikun. Shpjegimet i kam bërë dje në prokurori me prova dhe me fakte. Unë kam zgjedhur të mbeten institucional. Kushdo që është bërë pjesë e baltës dhe të pavërtetës duhet të mbajë përgjegjësi pas daljes së të vërtetës. Rruga që kam ndjekur është ajo e drejtësisë. Unë besoj se kemi të bëjmë me ato raste që i mbyturi kërkon të kapet pas një fije kashte”-tha  ai.

Numri dy i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe tek dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Sipas tij, Bashkia e Tiranës me institucionet përkatëse, po vijon punën në terren për të dokumentuar dhe riparuar të gjitha dëmet  e shkaktuara. Mazniku falënderoi  vendet që kanë shprehur solidaritet dhe kanë ofruar ndihma për qytetarët e Tiranës.

“Ky tërmet ishte më i madhi i regjistruar në Tiranë dhe në vendin tonë në 30-40 vitet e fundit.  Për fat të mirë nuk kishim probleme në jetë njerëzish. Problemet janë të limituara në dy kategori, kryesisht në shtëpitë e vjetra në zonat rurale, ndërsa 143 shtëpi janë të pabanueshme. Kemi problemet në ato banesa që janë bërë me shtesa. Po ndjekim rast pas rasti që problemet e shkaktuara nga tërmeti  të riparohen sa më shpejt. Ka pasur një seri ndihmash nga vendet ndërkombëtare. Ndihmat kanë shkuar në vend dhe kjo është shumë e sigurt. Ka pasur një gatishmëri të madhe edhe nga bizneset e Tiranës”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: