Partia e Lirisë ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Rama për shpërndarjen e librave falas për nxënësit, duke e cilësuar këtë nismë si një tjetër akt propagandistik.

Zëvendëskryetarja e PL-së, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë se po mashtron publikun, pasi sipas saj, vetëm nxënësit e klasave I deri në III përfitojnë tekste të reja. Ndërkohë, për klasat IV deri në IX, librat që shpërndahen janë të përdorur dhe shpesh në gjendje të keqe, duke detyruar prindërit t’i blejnë sërish në treg.

“Propagandë e vjetër dhe aq e konsumuar sa edhe librat që u shpërndahen fëmijëve. Tekstet e papërdorshme që qeveria i jep falas shërbejnë vetëm për postimet e kryeministrit, por jo për të ndihmuar realisht familjet shqiptare,” shkruan Xhixho në reagimin e saj.

Ajo theksoi se nuk ka ndryshuar asgjë nga viti i kaluar, përveç faktit që numri i nxënësve në shkolla është ulur. Deklarata e qeverisë për pajisjen me libra të rinj të 236 mijë nxënësve u cilësua prej saj si “një gënjeshtër e madhe”.

“Edhe këtë vit, prindërit janë të detyruar të blejnë librat vetë, sepse kjo qeveri nuk ka pasur asnjëherë prioritet arsimin dhe nuk ka ndërmend ta ketë,” shton ajo.

Partia e Lirisë ka bërë thirrje që shpërndarja e librave të bëhet në mënyrë të barabartë dhe me standarde, duke garantuar tekste të reja për të gjithë nxënësit, dhe jo vetëm për disa klasa të caktuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: