Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka ndodhur një shpërthim me lënde plasëse në hyrjen e një dyqani në aksin rrugor Fushë-Krujë, Derven. Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi gjatë orës 02:15, ku u raportua vetëm për dëme materiale.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se sipas informacioneve nga Policia e Tiranës, dyqani në të cilën u vendos lënda plasës është në pronësi të 30-vjecarit Donald Luka.
Ky dyqan përdorej për përpunim dhe shitje mishi. Sipas informacioneve paraprake, ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por grupi hetimor po punon për të identifikuar autorët e vendosjes së eksplolzivit. Deri në këto momente janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën e dyqanit. Gjithashtu u mor në pyetje pronari i dyqanit, Donald Luka.
Luka, rezulton i njohur për policinë. Ai u akuzua në Mars të vitit 2022 së bashku me vëllanë e tij për “Dhunë me motive të dobëta”. Në ato kohë u arrestua dhe babai i tyre, Llesh Luka ku pas një kontrolli në banesë u gjetën të instaluar një shtëpi bari. Sa i përket ngjarjeve të 2022 , pretendohen se nuk lidhen me vendosjen e eksplozivit. Policia po vijon hetimin e pistave të tjera.
