Shefi i operacioneve të marinës suedeze njoftoi se Forcat Detare të vendit të tij hasin në nënujore ruse “gati çdo javë” në Detin Baltik, ndërsa përgatiten për një rritje të mundshme të këtyre takimeve në rast armëpushimi në luftën e Ukrainës.
Kapiteni Marko Petkoviç tha se Moska po forcon vazhdimisht prezencën e saj në rajon dhe se shfaqja e anijeve ruse është bërë pjesë e përditshmërisë së marinës suedeze. Ai shtoi se Rusia po rrit kapacitetet e saj dhe prodhon çdo vit një nënujore të klasit Kilo në Shën Petersburg dhe në enklavën e Kaliningradit, mes Polonisë dhe Lituanisë, duke zbatuar një “program të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm modernizimi” të flotës së saj.
Petkoviç vlerësoi se Rusia do të forcojë më tej kapacitetet e saj në këtë zonë, dhe se me këtë situatë, flota suedeze duhet të vazhdojë zhvillimin dhe të fokusojë strategjinë mbi pamjen e përgjithshme. Ai paralajmëroi gjithashtu se tankerët e flotës ruse mund të përdoren për lëshimin e dronëve.
Zona e Detit Baltik përballet me një gamë në rritje kërcënimesh, përfshirë sulme hibride me dronë, sabotime të infrastrukturës nënujore dhe aktivitetet e flotës “hije” që transporton naftë bruto nga Rusia.
Suedia organizoi së fundmi një ushtrim të madh të NATO-s për luftën kundër nënujoreve, Playbook Merlin 25, ku morën pjesë nëntë vende, përfshirë Suedinë, Gjermaninë, Francën dhe SHBA. Terreni i thepisur nënujor pranë Suedisë e vështirëson zbulimin e nënujoreve, duke u dhënë atyre vende ku mund të fshihen.
