SAN FRANCISKO – Një raport i ri nga organizata amerikane Common Sense Media ngre shqetësime për sigurinë e versionit të ChatGPT të dedikuar për adoleshentët e moshës 13 deri në 17 vjeç.
Sipas raportit, gjatë testimeve chatbot-i nuk ka ofruar gjithmonë mbrojtje të mjaftueshme në bisedat që lidhen me vetëvrasjen, vetëlëndimin apo çrregullimet e të ngrënit.
Studiuesit pretendojnë se në disa raste prindërit janë njoftuar me vonesë ose nuk janë njoftuar fare, edhe pas bisedave të gjata rreth këtyre temave.
Raporti thekson gjithashtu se ChatGPT nuk i orientonte në mënyrë të qëndrueshme përdoruesit drejt shërbimeve të krizave apo ndihmës profesionale kur përballeshin me situata potencialisht të rrezikshme.
Sipas Common Sense Media, gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi nivelin e mbrojtjes që ofrojnë chatbot-et me inteligjencë artificiale për përdoruesit e mitur, veçanërisht në situata të ndjeshme.
