UEFA ka lejuar që Shqipëria dhe Serbia të jenë kundërshtarë të mundshëm edhe pas trazirave në Beograd në eliminatoret e Euro 2016 dhe pas 10 vitesh shorti i vendosi përsëri përballë në eliminatoret e Botërorit 2026. Megjithatë, institucioni që  drejton futbollin kontinental i cilëson këto ndeshje si ato të rrezikshmërisë shumë të lartë, ndaj ka nisur një ekspert për të monitoruar gjithçka.

Delegati i ndeshjes së sotme, praktikisht njeriu i plotfuqishëm i UEFA-s në stadium që ka në dorë çdo vendim madhor për shkak trazirash, edhe ndalimin e saj, është zvicerani Zhak Antenen. Veçoria e tij është se ai është një ekspert sigurie falë eksperiencës së jashtëzakonshme me mbi një dekadë si shef i policisë në kantonin e Vaud në Zvicër.

Për ata që nuk e  dinë, kantoni në fjalë është ai në të cilin gjenden zyrat e UEFA-s, ndaj Zhak Antenen është një emër shumë i njohur për institucionin e futbollit. Nuk është rastësi që krahas punës si shef policie, apo edhe më vonë si ekspert sigurie i pavarur, ai ka bërë edhe rolin e funksionarit të jashtëm të UEFA-s, si këshilltar për sigurinë në evenimente apo edhe delegat për ndeshjet e veçanta.

Dhe në vitin 2023, pikërisht Antenen u caktua si delegati i ndeshjes finale të Ligës së Kampioneve në Stamboll mes Mançester Sitit dhe Interit, që cilësohej e një rrezikshmërie të lartë për shkak të spostimit të madh të tifozëve anglezë drejt Turqisë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb