I) Demokraci në letër, pabarazi ne terren
Ka momente kur politika të duket si një lojë, ku njëra palë luan në kodër dhe tjetra në baltë. Kam të njëjtën ndjesi, kur krahasoj rastin e Shqipërisë dhe Turqisë në raport me opozitat e tyre. Të dy shtetet në letër janë demokratike, të dyja kushtetutat parashikojnë pluralizmin politik, votën e lirë dhe pjesëmarrjen në politikë (neni 2 dhe 3 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 67 dhe 68 i Kushtetutës së Turqisë). Pra, formalisht këto dy vende kanë demokracinë si bazë të funksionimit të shtetit.

Por çfarë ndodh realisht në praktikë? A janë zgjedhjet realisht të lira? A është media e lirë? A ka barazi reale për opozitën?

Përgjigja e të gjitha këtyre pyetjeve është jo. Në praktikë terreni është krejt i pabarabartë. Nëse i hedhim një sy procesit politik, është shumë e qartë se opozita nuk lufton vetëm kundër qeverisë. Në të dyja vendet ajo lufton kundër një kulture të tërë politike që e sheh barazinë politike si armike dhe jo si vlerë.

Ndërkombëtarisht, Turqia është e njohur për kontrollin e pushtetit mbi sistemin gjyqësor apo median. Megjithatë, opozita prapë ka ditur të krijojë momente thyerjeje pavarësisht pranisë së peshës së rëndë të aparatit shtetëror.

Në Shqipëri situata është gjithashtu komplekse.

Garancia e barazisë politike përplaset me realitetin e burimeve të pabarabarta dhe kulturën politike që favorizon gjithmonë ata që janë në pushtet.

Pra, si në Shqipëri e po ashtu në Turqi, opozita ekziston, nuk është sfida e saj ekzistenca. Sfida e vërtetë është si arrin kjo opozitë të dëgjohet dhe të ketë një ndikim kur terreni nuk është i barabartë?

II) Qytetarët: Ata që thyejnë heshtjen

Kur mendoj per opozitën në Turqi, më vjen në mendje rasti i zgjedhjeve lokale në 2019, ku Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) humbi Ankaranë dhe Stambollin pas shumë viteve dominimi. Fitorja e Ekrem Imamoglu në qytetin e Stambollit është një nga rastet më të fuqishme të imponimit opozitar në një regjim hibrid ose ndryshe në një vend, ku demokracia është realisht e brishtë.  Një fushatë e mirëorganizuar, e ngritur mbi dhe për qytetarët, e kthyer tek njerëzit e zakonshëm i dha fitoren Imamoglu.

Në Shqipëri gjejmë një dinamikë të ngjashme. Në zgjedhje te ndryshme, opozita ka arritur të fitojë disa bashki të mëdha falë punës së saj të qëndrueshme, falë pranisë së saj nëpër lagje, në komunitet, falë komunikimit të ndershëm dhe transparent. Një shembull që ilustron më së miri këtë fakt është fitorja e Voltana Ademit (kandidate e opozitës) në qytetin e Shkodrës në vitin 2015. Partia Demokratike ishte dhe është e vetmja forcë politike e pranishme fizikisht dhe emocionalisht më e afërt me qytetarët.

III) Media: Muri që na pengon, por edhe dera që e hapim vetë

Absolutisht në të dy vendet, një ndër sfidat më të mëdha mbetet media, një mur tepër i lartë mes qytetarëve dhe të vërtetës. Në Turqi kontrolli mbi median tradicionale është i dukshëm, i fortë. Ndërsa në Shqipëri, më i rafinuar, por po aq i prekshëm dhe akoma më i frikshëm. Kontrolli i rafinuar është edhe më i zi sepse nuk të godet në sy, por të gëlltit në heshtje. Në Shqipërinë tonë problemi nuk është liria e shprehjes, por iluzioni se e kemi ; më e rrezikshme se censura vetë.

Sidoqoftë, kufizimi i mediave i ka shtyrë opozitat në vendet perkatëse të shpikin forma të reja komunikimi në mënyrë që të dëgjohen. Në Shqipëri, boshllëkun e mediave, opozita e ka mbushur me anë të rrjeteve sociale duke krijuar një hapësirë të lirë komunikimi me qytetarët, kurse në Turqi, livestream-et e opozitës u kthyen ne kanale te lirisë të ndjekura nga miliona njërëz.

Këto forma të transmetimit së të vërtetës nuk zëvendësojnë një sistem të drejtë dhe demokracinë në kuptimin e plotë te fjalës, por gjithsesi tregojnë se opozita nuk është dorëzuar.

Pra, opozitat në këto dy vende nuk janë imponuar sepse kanë patur pushtet apo fuqi, ato janë imponuar sepse nuk kanë hequr dorë.

Nuk janë perfekte, kanë dështimet e tyre, por vazhdojnë dhe i rezistojnë valës autoritare, vazhdojnë e besojnë fort në demokraci, në këtë vlerë që nuk është luks, por ajri që thithim kur askush nuk po na shikon.

Ajo është e fortë kur qytetarët nuk e pranojnë heshtjen si fat ; andaj beteja e opozitës nuk mbaron në seli, ajo fillon tek ti. Nëse ti nuk ngrihesh, nuk ngrihet askush!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: