Qeveria shqiptare do të blejë tre avionë për shuarjen e zjarreve nga një kompani, e cila është dënuar për korrupsion në vendet e Bashkimit Europian. Kompania e shpallur fituese, e cila do të dorëzojë tre avionët dhe që do të ofrojë shërbimin e mirëmbajtjes së tyre për tre vjet, quhet Air Tractor SRL.

  • foto galeri

Kjo është një kompani spanjolle, e cila ka të drejtën e tregtimit të avionëve amerikanë Air Tractor në Europë. Por kjo kompani rezulton e dënuar nga Gjykata spanjolle për korrupsion, fiksim tenderash dhe kartel për më shumë se 20 vjet në manipulimin e tenderave për avionët e zjarreve, duke shkaktuar dëm korruptiv mbi 150 milionë euro.

Air Tractor Europe zotërohet nga një shtetas spanjoll i quajtur Vincente Huerta. Prokuroria e Spanjës paraqiti dokumente se kjo kompani ka fiksuar tenderat e blerjes së avionëve, jo vetëm në Spanjë, por edhe në shumë vende të tjera të Europës, përfshirë Italinë, Portugalinë, Francën dhe së fundmi edhe Qipron.

  • foto galeri

Për rrjedhojë, gjykata vendosi të dënojë me burg ish-drejtuesit e kompanive, si dhe të ndalojë Air Tractor dhe Titan Firefighting (po kompani e grupit) nga e drejta për të marrë pjesë në tendera për 9 muaj.

Në vitin 2024, Ministria greke e Mbrojtjes Civile hapi një tender prej 154.8 milionë eurosh për të blerë 25 avionë për fikjen e zjarreve. Qeveria greke shpalli fitues Air Tractor, por Gjykata Supreme e Greqisë e shpalli të papranueshme ofertën, duke anuluar tenderin pasi kompania rezultonte e dënuar në Spanjë. Praktikisht, ky vendim i gjykatës greke e bën të pamundur që kompania të hyjë në tenderat publikë të Bashkimit Europian.

Ndonëse tenderi 15 milionë euro i zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes shqiptare është klasifikuar në shkallën më të lartë të konfidencialitetit, dokumentet zyrtare të siguruara nga mediat, që shpallin fituese kompaninë e dënuar në BE, hedhin dyshime për një skandal të madh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb