Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka folur mbi aktualitetin politik në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te situata e korrupsionit, roli i drejtësisë dhe perspektiva e krijimit të një qeverie teknike besimi.
Sipas Hoxhës, zbulimet e fundit nga dosjet hetimore kanë hapur rrugën për një pastrim të thellë të politikës shqiptare, duke përmendur rastet Balluku dhe AKSHI.
Ai theksoi se faktet që tregojnë se si institucione shtetërore kanë planifikuar dhënien e tenderave dhe kanë ushtruar presion ndaj biznesmenëve për t’i larguar nga garat publike përbëjnë një skandal të rëndë, por i cilësoi si vetëm “një pikë uji në oqean” krahasuar me atë që, sipas tij, ka ndodhur në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit.
Hoxha deklaroi se vendi po qeveriset nga një regjim që, sipas tij, ka mbytur biznesin, liritë e qytetarëve dhe ka shndërruar shtetin në një strukturë të kriminalizuar. Ai theksoi se kriminalizimi i shtetit në këtë shkallë është i paprecedentë dhe se Shqipëria ka nevojë për një shtet të përgjegjshëm, një drejtësi të pavarur dhe një shoqëri që kërkon llogari nga politika.
Duke folur për rolin e drejtësisë, Hoxha u shpreh se SPAK ka në duar dosje ku përfshihen drejtues të lartë të institucioneve, përfshirë struktura të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se kanë vënë postet e tyre në shërbim të krimit të organizuar. Sipas tij, korrupsioni ka arritur kulmin në çdo sektor dhe grupi që ai e quan “Rilindje” nuk përfaqëson më socialistët, por ka marrë peng qeverisjen e vendit.
Në këtë kontekst, Lisandër Hoxha theksoi se Shqipëria po shkon drejt krijimit të një qeverie teknike, e cila sipas tij duhet të ketë një mandat më të gjatë se disa muaj, rreth 1.5 deri në 2 vite, për të qenë partnere e drejtësisë dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ai nënvizoi rëndësinë e ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, sidomos në reformën në drejtësi. Sipas Hoxhës, vendi nuk mund të vetëpastrohet pa një drejtësi funksionale dhe pa mbështetje ndërkombëtare.
Në fund, Hoxha u shpreh se opozita do të vazhdojë të luajë rolin e saj, por kjo nuk mjafton përballë ndikimit të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit në ekonomi dhe politikë. Ai tha se vullneti për ndryshim ekziston te qytetarët, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, dhe se Shqipëria nuk do të qeveriset më në këtë mënyrë.
Sipas tij, koha e “Rilindjes” ka përfunduar, ndërsa një qeveri teknike besimi shihet si e vetmja rrugë për t’i dhënë fund tranzicionit të zgjatur dhe për të ndërtuar një sistem politik dhe institucional të ndershëm.
