Drejtuesja politike e PS në Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të hapë rrugën që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në vendet europiane njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e BE dhe me të njëjtat tarifa.

Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Spiropali nënvizoi se mundësitë që sjell anëtarësimi në Union nuk do të humben për shkak të “tekave e halleve politike të një njeriut të vetëm, e një familje biologjike dhe politike që nuk po arrin të rinovohet”.

E pyetur nga Nisida Tufa në lidhje akuzat e opozitës për korrupsion dhe nepotizëm, Spiropali tha se në fillim kur PS erdhi në pushtet, gjeti një administratë të terrorizuar nga pushimet nga puna pa kriter dhe pa respektuar asnjë bazë ligjore, por se tani administratë është një nga arsyet se përse u mundësua hapja e grupkapitujve, pas kalimit me sukses të procesit screening.

“Administrata është një nga arsyet pse kemi çelur grupkapitullin e parë me BE. Jemi pararojë në rajon për progresin e administratës. Gjetëm një administratë të traumatizuar nga lëvizjet e papritura, ku hiqeshin nga puna pa asnjë lloj kriteri e pa respektuar ligjit. Sot shërbimi civil është i konsoliduar, një ligj draconian për lëvizjet brenda administratës.

Kjo administratë nënvlerësohet por duhet të kuptojmë që i ka mbijetuar procesit screening nga BE. Duhet të shohim jo më syze të errëta, natyrisht që ka nevojë edhe për përmirësimi. Nuk mund të kemi një Shqipëri europiane pa një administratë europiane. Dhe çelja e grupkapitujve është një test që besoj se do ta kalojmë me sukses.

Unë jam larguar vetë 16 vjeç jashtë vendit dhe u ktheva nën frikën e prindërve që duke mos pasur lidhje, nuk do të gjeja një vend në administratë.

Jam kthyer në 2006. E di çdo të thotë të jesh një njeri që vlera jote të njihet. Shqipëria europiane hap rrugën dhe jep mundësi të rinjve që të shkollohen me tarifa të njëjta në BE, punën me të njëjta letra apo edhe pasjen e dinjitetit, mundësi që nuk duhet t’i lëmë të na ikin për teka e halle politike të një njeriut të vetëm, e një familje biologjike dhe politike që nuk po arrin të rinovohet”, tha ajo.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb