4 fitore, 0 barazime dhe 1 humbje, 12 pikë në 5 ndeshje, 10 gola të shënuar, 3 të pësuar, vendi i parë në Grupin C1. Përjashto atë humbje aksidentale në Finlandë, ekipi i Maran vijon ecurinë pozitive në Nations League, është vetëm një hap larg arritjes së objektivit kryesor, të sigurojë një biletë për në Ligën B edicionin e ardhshëm. Triumfi 2-0 ndaj Finlandës në “Air Albania” i siguron minimalisht Shqipërisë një vend në fazën “play-off” për të arritur këtë objektiv, pra do të jenë ende në lojë edhe nëse e mbyllin këtë grup në vendin e dytë.
Jo vetëm kaq, pas këtij suksesi, kuqezinjtë fshijnë përfundimisht nga gara Finlandën, me këta të fundit që nuk kanë më asnjë shans për të luftuar për vendin e parë në Grupin C1, pasi tani diferenca shkon në 5 pikë. Në këto kushte, rivali i vetëm i ekipit të Maran mbetet Bjellorusia, kundërshtari i tyre i fundit në këtë grup.

Bjellorusia doli me 3 pikë nga transferta përballë San Marinos pas suksesit 0-2. Me 10 pikë në 5 ndeshje, Bjellorusia renditet në vendin e dytë. Të dielën, në Budapest, Shqipërisë i mjafton të mos humbas për të mbyllur grupin në vendin e parë, pra luan për dy rezultate, në një kohë kur diferenca është në dy pikë.
Kuqezinjtë triumfuan 2-0 në ndeshjen e parë në “Air Albania” ndaj Bjellorusisë, por Maran e bëri të qartë se ekipi i tij shkon në Hungari me një objektiv të qartë, të mbyllin këtë grup me fitore dhe në vendin e parë, pa bërë më shumë llogari.
