Shqipëria ka hapur zyrtarisht grupkapitullin e fundit në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit. Lajmi u konfirmua nga Komisionerja e BE-së, Marta Kos, e cila vlerësoi progresin e vendit dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për zbatimin e reformave thelbësore.

Në deklaratën e saj, Kos e cilësoi ditën si një moment historik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bashkimin Europian:

“Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për BE. Kjo tregon se Bashkimi Europian ofron rezultate dhe se mund të mbështetemi te Shqipëria”. Ajo theksoi se progresi nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e fortë të institucioneve shqiptare në zbatimin e reformave të rëndësishme, si dhe pa mbështetjen e vendeve anëtare.

“Ky sukses është rezultat i punës së autoriteteve dhe i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe e mbështesin atë. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit.”., pohoi ajo.

Komisionerja nënvizoi se hapja e të gjithë grupkapitujve është një arritje e rëndësishme, por sfida kryesore mbetet mbyllja e tyre:

“Çelja është sukses, por mbyllja e kapitujve është çmimi real. Suksesi matet me shpejtësinë dhe seriozitetin e miratimit e zbatimit të legjislacionit”, shtoi ajo. Me këtë zhvillim, Shqipëria hyn në fazën përmbyllëse të procesit negociues, duke u cilësuar nga BE si një model frymëzimi për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: