Në vijim të debatit mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në sistemin e drejtësisë, ish-prokurori Florian Bonjaku, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ofruar një qasje kritike mbi ecurinë e reformës në drejtësi, duke theksuar se prania e vazhdueshme e ndërkombëtarëve është tregues i dështimit për të ndërtuar një sistem realisht të pavarur.
Bonjaku u shpreh se pas gjashtë vitesh nga nisja e reformës, fakti që në çdo moment kërkohet ndërhyrja ose monitorimi i ndërkombëtarëve dëshmon se qëllimi kryesor i saj nuk është arritur. Sipas tij, reforma duhej të garantonte një drejtësi të pavarur, e cila të funksiononte pa nevojën e mbështetjes së vazhdueshme të faktorëve të jashtëm.
Ish-prokurori e cilësoi situatën aktuale si një paradoks, duke theksuar se në të kaluarën politika akuzohej për kontroll mbi drejtësinë, ndërsa sot, sipas tij, i njëjti rol i atribuohet ndërkombëtarëve.
“Kjo ka anët e saj pozitive dhe negative. SHBA-të janë aleati ynë strategjik dhe historikisht na kanë sjellë vetëm të mira, por një përfshirje e tillë cenon integritetin e institucioneve që po ngremë,” u shpreh Bonjaku.
Ai shtoi se Shqipëria nuk arriti të ndërtonte një sistem drejtësie plotësisht të pavarur dhe të integruar në ligj, duke theksuar se orientimi i vazhdueshëm drejt mbështetjes ndërkombëtare, në vend të respektimit të ligjit dhe mekanizmave të brendshëm, tregon se reforma nuk e përmbushi misionin e saj.
Sipas Bonjakut, fakti që shoqëria dhe politika shqiptare kërkojnë ende një “matës” të jashtëm për drejtësinë, është prova më e qartë se procesi i nisur mbeti i papërfunduar dhe se sfidat themelore të sistemit vazhdojnë të mbeten të hapura.
