Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka paraqitur situatën në sistemin arsimor parauniversitar gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
Kumbaro raportoi se edhe në rastet ku është pezulluar mësimi, nuk ka pasur dëmtime të objekteve arsimore, por është bërë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve gjatë transportit.
“Kemi qenë në kontakt në çdo orë në mënyrë kapilare me 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit mes orës 07:00-08:00 sot, situata është: Në Qarkun e Tiranës mësimi ka vijuar normalisht, në Qarkun e Durrësit kemi një ndërprerje në 12 shkolla. Po ashtu në qarqet Dibër, Lezhë, Shkodër mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat. Situata më problematike është në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier ku kemi ndërprerje të kontrolluar të mësimit në 10 shkolla. Këtë e bëjmë për arsye sigurie, në radhë të parë për nxënësit, por edhe për ata mësues që duhet të bëjnë rrugë në zona më të thella. Në Bashkinë e Gjirokastrës, ditën e mërkurë kemi pasur një ndërprerje të mësimit jo sepse shkollat kishin probleme si objekte, por sepse prurjet e inerteve ishin kaq masive në rrugët e bashkisë, por situata u kthye në normalitet brenda pak orësh. Në qarqet Elbasan, Korçë, Berat janë rreth 32 shkolla ku sot është pezulluar mësimi, ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë as nxënësit dhe as mësuesit. Në total kemi 54 shkolla ku sot është ndërprerë mësimi, nga 1510 shkolla në gjithë vendin. E ndjekim në vazhdimësi situatën dhe raportimin e kemi çdo një orë”, u shpreh Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
