Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pritur sot në një takim zyrtar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Gjatë deklaratës së tij publike, Netanyahu vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në vend nuk u pakësua, por u rrit, falë mbrojtjes së dhënë nga shqiptarët.

Sipas Netanyahut, myslimanët shqiptarë mbrojtën qindra hebrenj dhe ndihmuan të tjerë të shpëtonin, një histori që, sipas tij, meriton të njihet më gjerësisht ndërkombëtarisht. Ai e cilësoi këtë si një rol moral të rëndësishëm të Shqipërisë “gjatë orëve më të errëta të historisë”.

Kryeministri izraelit u ndal gjithashtu te qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të Izraelit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se kjo mbështetje është vlerësuar nga autoritetet izraelite.

Në planin ekonomik dhe turistik, Netanyahu deklaroi se numri i turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë është rritur me rreth 800 për qind, ndërsa pritet një rritje e mëtejshme. Ai shtoi se kompani izraelite shohin në Shqipëri mundësi për investime dhe bashkëpunim ekonomik.

Sipas Netanyahut, këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila sipas tij do të inaugurohet nesër edhe me praninë e kryeministrit Rama.

Në përmbyllje, kryeministri izraelit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie mes dy popujve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb