Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar me tone kritike ndaj situatës ekonomike në vend, duke iu referuar të dhënave më të fundit të Eurostat, sipas të cilave Shqipëria ka pagën minimale me fuqinë blerëse më të ulët në gjithë kontinentin.
“Edhe vendet ende në luftë, si Ukraina, apo ato me zhvillim të ulët, si Moldavia, na lënë pas”, shkruan Teliti në një postim në Facebook, duke e cilësuar këtë realitet si “krenaria e fundit e Europës”.
Ai akuzon qeverinë se rritja ekonomike e propaganduar është vetëm një fasadë, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me varfëri. “Kur populli është i zhytur në varfëri, edhe kontrolli ndaj tij është më i lehtë”, shton Teliti, duke kritikuar mungesën e vëmendjes për çështjet ekonomike dhe nivelin e ulët të pagës minimale, e cila sipas tij nuk mjafton as për mbijetesë.
Teliti ngre pyetje mbi prioritetet e qeverisë, duke theksuar se ndërkohë që merret me rikthimin “me forcë” të hapësirave publike, nuk jep zgjidhje për problemet ekonomike. “Kjo situatë kërkon llogaridhënie të menjëhershme dhe ndryshim rrënjësor strategjik. A do të vazhdojmë të gënjejmë veten, apo më në fund do të fitojë dinjiteti i një populli të lodhur, por asnjëherë të dorëzuar?”, përfundon ai.
