Kombëtarja shqiptare ka mbyllur në avantazh pjesën e parë të përballjes ndaj Polonisë, falë golit të realizuar nga Arbër Hoxha, në një ndeshje vendimtare për “play-off”-in e kualifikimit.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 gazetari Erion Shkambi u ndal te analiza e skuadrës polake, duke theksuar se dilema më e madhe për kundërshtarët lidhet me formën e sulmuesit kryesor Robert Lewandowski.
Sipas Shkambit, mediat polake kanë ngritur pikëpyetje mbi gjendjen aktuale të Lewandowskit, i cili së fundmi ka humbur statusin e titullarit te FC Barcelona dhe ndodhet në një moment rënieje në karrierë. Ai theksoi se sulmuesi 38-vjeçar ka pësuar ulje edhe në vlerën e tregut, e cila aktualisht vlerësohet rreth 8 milionë euro, më pak se disa lojtarë të kombëtares shqiptare.
Kjo situatë, sipas analizës së Shkambit, ka krijuar pasiguri në kampin polak për aftësinë e Lewandowskit për të udhëhequr skuadrën në një ndeshje kaq të rëndësishme ndaj Shqipërisë.
